Ura e Ibrit 12.08.2024 Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

BE-ja planifikon ta vendosë "statusin" e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të radhës Kosovë-Serbi

Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kështu ka paralajmëruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“BE planifikon ta vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut”- ka thënë ai, në një përgjigje për KALLXO.com.

Stano tha se çdo takim i Dialogut do të njoftohet në kohën e duhur.

A është mjaftueshëm stabile Ura e Ibrit për qarkullim të automjeteve pritet të dihet më 13.08.2024, përmes një raporti të përpiluar nga kompania që ka bërë matjet dhe testimet e urës.

Raporti pritet së pari t’i dorëzohet Ministrisë së Infrastrukturës më 13.08.2024, tha për KALLXO.com, zëvendësministri Hysen Durmishi.

“Nesër del raporti. Na e dërgon kompania, e na (Ministria) e publikojmë”- tha Durmishi.

Sot më datë 13.08.2024, janë bërë një javë prej kur nisën testimet në Urën e Ibrit, të cilën po mëtojnë ta hapin së shpejti autoritetet kosovare, anipse po kundërshtohet nga faktori ndërkombëtar.

Pas matjeve dhe testimeve me automjete të rënda, që ca ditë janë duke u ngjyrosur muret e Urës.

Qeveria, të cilës i prin Albin Kurti, së fundmi dha një tender për testimin e Urës për lëvizjen e mjeteve mbi të.

Kompania fituese është përzgjedhur “IPE-PROING”. 

Ministria e Infrastrukturës përmes platformës elektronike ka publikuar kontratën për dhënien e një tenderi me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”.

Vlera e tenderit është 9 mijë e 640 euro.

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit po pritet me diskutime, krahëhapur në njërën anë dhe kundërshti nga ana tjetër.

Më 08.08.2024, kryetari i komunës, Erden Atiq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Jeta Tela nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe zëvendsdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut Veton Elshani dhe qytetarët e Mitrovicës së Veriut mbajtën takim të përbashkët për Urën e Ibrit në Kuvendin Komunal të kësaj komune.

 Elshani, tha që as vet nuk e kuptojnë se pse Ura e Ibrit po mbahet e mbyllur.

“Ne e pyesim veten se pse kjo Urë është e mbyllur. Nuk ka arsye sigurie pse duhet të jetë e mbyllur. Shpeshherë po e pyes veten se pse kjo urë është e mbyllur. Është mirë nga ju me dëgju se pse kjo urë duhet me mbet e mbyllun, sepse nga aspekti i sigurisë nuk ka ndonjë arsye”- tha Elshani.

Ndërsa një ditë para këtij diskutimi publik, më 07.08.2024, qytetarët dhe politikanë serbë portestuan në sheshin ‘Car Llazar’ kundër hapjes së Urës së Ibrit.

Protesta përfundoi pa asnjë incident, tha KFOR.

Hapja e urës “i ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”- tha kryeministri Albin Kurti, më 18.07.2024, një ditë pas takimit  paraprak që mbajti me ambasadorët e QUINT për këtë çështje.

Për të parin e vendit, hapja e tërësishme e urës për qarkullim është “simbol i normalizimit”.

Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian

 Stano, paraprakisht kishte thënë për KALLXO.com, që rihapja e urës është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog.

“Diskutimet janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë”- kishte thënë Stano.

BE u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.

Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh, ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.

Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.

“Simboli i normalizimit”: Fati i Urës së Ibrit i varur nga dialogu në Bruksel