BE-ja përgëzon qeverinë për masat e marra kundër coronavirusit

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova ka thënë se BE-ja do t’i ndihmojë Kosovës për të kaluar atë që e ka cilësuar si periudhë të vështirë, pas përhapjes së koronavirusit.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Apostolova, ka thënë se ka zhvilluar bisedë telefonike me ministrin e Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia.

Përgjatë bisedës, shefja e zyrës së BE-së në Prishtinë, është thënë të ketë përgëzuar ministrin Vitia dhe qeverinë për masat që kanë marrë deri më tani me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.

Të premten, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se i ka urdhëruar institucionet publike stomatologjike në Kosovë që të punojnë vetëm në raste urgjente.

Me masat e reja urdhërohen të ndërpresin punën edhe institucionet private spitalore që ofrojnë shërbime për rehabilitim fizikal dhe klimatik dhe shërbime të terapisë fizikale me rehabilitim (Banja e Kllokotit, Nëna Naile dhe Onix Spa).

“Urdhërohen menjëherë të ndërpresin punën të gjitha institucionet shëndetësore private jashtëspitalore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si ambulancat stomatologjike, ambulancat e terapisë fizikale dhe ambulancat specialistike të mjekësisë fizikale”, është thënë po ashtu në njoftim./REL