BE-ja paralajmëron deri në 160 milionë euro për Kosovën

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova ka njoftuar se sot ka biseduar ministrin e Financave, Besnik Bislimi, si dhe ministren e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari, për gjendjen e krijuar pas pandemisë së coronavirusit në Kosovë.

Sipas një cicërime në Twitter, Apostolva ka thënë se BE vazhdon edhe më tutje ta mbështesë Kosovën, duke shtuar se mund të vihen në dispozicion deri 160 milionë euro për Kosovën.

“Kam folur sot me ministren Rozeta Hajdari dhe Besnik Bislimi, dhe Evropa edhe më tutje mbështet Kosovën në luftën kundër COVID-19. Mund të vihen në dispozicion deri në 160 milionë euro nga BE në 2-6 muaj përmes ndihmës makro-financiare, mbështetjes buxhetore dhe granteve IPA 2, mbështetjes së sektorit privat, bujqësisë dhe në lehtësimin e varfërisë”, ka shkruar Apostolova.

Më 25 mars Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se Bashkimi Evropian ka ndarë 68 milionë euro për Kosovën.

Sipas publikimit në Facebook 5 milionë euro do të ndahen për nevoja të menjëhershme, 50 milionë euro për sektorin socio-ekonomik për të luftuar ndikimin që COVID-19 po i shkakton këtij sektori. Po ashtu BE ka dhënë edhe 13 milionë euro për buxhetin e Kosovës.