BE-ja nuk tregon nëse sot në Bruksel u diskutua për Asociacionin

Bashkimi Evropian nuk ka treguar nëse sot në Bruksel në takimin në nivel të eskpertëve mes Kosovës dhe Serbisë është diskutuar edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Zëdhenësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë për KALLXO.com se në agjendë të takimit sot kanë qenë çështja e pronave dhe pretendimeve financiare.

“Takimet e nivelit të ekspertëve brenda BE-së nuk janë diçka për të cilën ne mund të ju sigurojmë ndonjë informacion. Unë vetëm mund të konfirmoj që seria e takimeve në nivelin e ekspertëve me kryenegociatorët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja vazhdoi me një takim personalisht në Bruksel sot dhe se në agjendë ishin pretendimet financiare dhe pronat”, thuhet në përgjigjen e Stanos.

Gjatë ditës edhe Qeveria e Kosovës nuk ka treguar nëse çështja e Asociacionit është diskutuar në takimin e sotëm me palën serbe në Bruksel.

Antigona Baxhaku-Idrizi, këshilltare politike dhe drejtoreshë e Zyrës për Media në Qeveri, ka thënë për KALLXO.com se në takimin e sotëm është biseduar për ato tema për të cilat kanë përcjellë komunikatën.

“Në takimin e sotëm është biseduar për ato tema për të cilat ju kemi përcjellë komunikatën. Kur të kemi konfirmim për takimin e radhës do t’i njoftojmë me kohë mediat dhe opinionin”, thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

Sipas Qeverisë, në këtë takim sot është folur për pensionin dhe kadastrin, por që nuk ka pasur përafrim të qëndrimeve mes palëve.

Pas disa javësh sot janë rikthyer takimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Nga Brukseli ka pasur deklarime se takimet ishin pezulluar për shkak të gjendjes me pandeminë, por në anën tjetër është raportuar se arsye kryesore ka qenë tema e Asociacionit, pasi Kosova ka refuzuar të flasë për themelimin e tij, por që Serbia ka kërkuar që kjo temë të jetë pjesë e bisedimeve.

A është diskutuar për Asociacionin në Bruksel, deklarohen nga Qeveria e Kosovës