Ilustrim
BE-ja ndihmon Europën qendrore me miliarda euro për vërshimet
Bashkimi Europian do të ndajë miliarda euro për të ndihmuar Europën qendrore për ta rimarrë veten nga pasojat e vërshimeve të ashpra, ka deklaruar shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke u zotuar për rajonet që përjetuan shkatërrime si pasojë e përmbytjeve të javës së kaluar, raporton Reuters.
Vërshimet më të ashpra goditën Europën Qendrore në së paku dy dekada, duke shkaktuar dëme të mëdha prej Rumanisë deri në Poloni, ku mbetën të vdekur 24 persona, u shkatërruan ura, u fundosën makina, derisa shumë qytetet u vërshuan prej baltës dhe mbeturinave që sollën reshjet e dendura.
Vërshimet u shkaktuan nga reshjet e dendura të shiut që nisën javën e kaluar dhe zgjatën disa ditë, duke bërë që lumenjtë të dilnin prej brigjeve dhe të përfshinin disa pjesë të rajonit.
“Jam këtu për të t’ju siguruar se Europa ju qëndron në krah”, ka deklaruar ajo në qytetin polak Vroslav, krah liderëve të vendeve të prekura.
“Ky është një moment i nevojës, i katastrofës natyrore dhe ne do të qëndrojmë bashkë për ta kaluar këtë sfidë”.
Von der Leyen ka thënë se 10 miliardë euro do të ndahen nga fondet e kohezionit të BE-së dhe se bashkë me fondet do të ketë edhe disa ndryshime, si heqja e kushtit të bashkëfinancimit nga vendet anëtare për shkak të nevojës për përgjigje të shpejtë.
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka thënë për transmetuesin privat Polsat se Polonia mund t’i marrë pesë miliardë euro.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com