Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi, Foto: Twitter

BE-ja konfirmon takimin e së martës mes Kosovës dhe Serbisë

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të martën, më 21 qershor në Bruksel do të zhvillohen takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në të cilët do të jetë në rend dite marrëveshja për energji dhe përgatitjet e një takimi të nivelit të lartë mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Për një vit nuk ka pasur takime në nivel të tillë.

“Nesër, me 21 qershor, i dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak, do të jetë mikpritës i një raundi tjetër të takimeve në kuadër të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve” tha Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Ai ka thënë se “takimi do të fokusohet në finalizimin e një udhërrëfyesi i cili do të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes për energji të vitit 2013-të dhe 2015-të si dhe në çështjet e tjera, përfshi edhe përgatitjet për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë”.

BE-ja pret që në këtë takim në nivel krye-negociatorësh të ketë një konsensus konkret për zbatimin e marrëveshjes për energji e mundësisht edhe nënshkrimin e një deklarate për çështjen e të pagjeturve. Për takime janë ftuar edhe zëvendës kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi edhe shefi i delegacionit të Serbisë Petar Petkoviq.

Sa i përket marrëveshjes për energji diplomatët thonë se fjala është për të njëjtën marrëveshje që ishte arritur në vitin 2013-të, ishte konfirmuar në vitin 2015-të, ndërsa tashme palët vetëm do të pajtohen për planin e implementimit të saj. Bashkimi Evropian pritet të ketë rolin e lehtësuesit edhe për zbatimin e kësaj marrëveshje.

Sa i përket mundësive për takimin e nivelit të lartë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, burimet e BE-së thonë se kjo do të varet nga gatishmëria e palëve për të arritur rezultate konkrete në dialog. Nëse në nivel të krye-negociatorëve të martën do të ketë rezultat atëherë edhe mundësitë për takim në nivel të artë do të jenë më të mëdha thonë burimet diplomatike në Bruksel./REL