BE-ja kërkon që Bullgaria, Kroacia dhe Rumania t'i bashkohen zonës Shengen

Komisioni Evropian bëri thirrje, më 16 nëntor, që Bullgaria, Kroacia dhe Rumania të pranohen në zonën Shengen, për të lejuar udhëtimin midis këtyre vendeve dhe pjesës më të madhe të Evropës, pa kontrolle kufitare.

Ekzekutivi i BE-së i kërkoi Këshillit Evropian të marrë vendimet e nevojshme për të pranuar tri vendet e Evropës Lindore në zonën për lëvizjen e lirë, Shengen

Bullgaria dhe Rumania përfunduan procesin e vlerësimit në vitin 2011. Këshilli konfirmoi në dhjetor 2021 se Kroacia, e cila u bë anëtare e BE-së në 2013, kishte përmbushur kushtet për t’u bashkuar me zonën Shengen.

Në fund të gushtit, kancelari gjerman, Oalf Scholz tha se këto tri shtete plotësojnë të gjitha kriteret që të bëhen anëtare me të drejta të plota në këtë zonë.

Aktualisht pesë anëtare të BE-së – Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Irlanda dhe Rumania – nuk janë anëtare të Shengenit dhe, për këtë arsye, nuk mund të lëshojnë viza për gjithë zonën. Kërkesat për vizë janë të ngjashme, por viza është e vlefshme vetëm për vendin që e lëshon atë.

Në anën tjetër, Islanda, Norvegjia dhe Zvicra nuk janë anëtare të BE-së, por janë anëtare të zonës Shengen. Prandaj, ato mund të lëshojnë viza për gjithë zonën/REL/.