Foto: Presidenca ukrainase/ ueb-faqja zyrtare
BE-ja ia zoton Ukrainës 35 miliardë euro për rimëkëmbje
Bashkimi Europian ia ka zotuar të premten (20.09.2024) Ukrainës më shumë se 35 miliardë euro si pjesë e pakos huazuese të ndarë nga Grupi i shtatë vendeve të mëdha industriale teksa po mundohet ta ndihmojë vendin ta rindërtojë ekonominë dhe sistemin e shkatërruar të energjisë elektrike, raporton AP.
Liderët e G7-ës u pajtuan në qershor që të ndanin një pako huaje prej 50 miliardë dollarësh amerikanë për Ukrainën në luftën e saj për mbijetesë. Përfitimet e siguruara prej aseteve të ngrira ruse në bankat qendrore europiane janë përdorur si kolateral, por përparimi për ndarjen e huave ishte ngadalësuar.
“Ne duhet ta bëjmë Rusinë të paguajë për shkatërrimin e shkaktuar” – ka deklaruar kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, para gazetarëve në një konferencë shtypi në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zeolensky.
Ajo ka thënë se BE-ja tashmë i ka ofruar Ukrainës më shumë se 118 miliardë euro vlerë të ndihmës ushtarake dhe ekonomike prej fillimit të luftës në shkurt 2022, “por sulmet e pareshtura të Rusisë dëshmojnë se ndihma e vazhdueshme është e domosdoshme”.
Von der Leyen ka bërë të ditur se këto para do të shkojnë drejt në buxhetin kombëtar ukrainas.
“Kjo do të përmirësojë stabilitetin makro-financiar dhe do të ofrojë hapësirë fort të domosdoshme fiskale për ju. Ju do të vendosni se si është më së miri që të përdoren këto para, duke pasur parasysh fleksibilitetin që e kërkojnë nevojat tuaja” – ka thënë ajo.
Zelensky ka thënë se prioritetet e vendit të tij do të jenë rindërtimi i rrjetit energjetik, ngritja e strehimoreve nga sulmet ruse, përmirësimi i gjendjes në shkolla dhe blerja e armatimit dhe municioneve.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com