BE-ja e zgjat planin e saj vullnetar të reduktimit të gazit prej 15% deri në mars të vitit 2024

Kursimet janë bërë zyrtarisht pjesë e politikës energjetike të Bashkimit Evropian.

Ministrat e Energjisë nga 27 vendet anëtare vendosën të martën ta zgjasin planin në mbarë BE-në për ta ulur vullnetarisht kërkesën për gaz me 15% deri në mars të vitit 2024.

Plani i paprecedentë u dakordua verën e kaluar në kulmin e krizës energjetike, kur çmimet e gazit ishin në një tendencë rritëse në dukje të pandalshme dhe Kremlini zyrtar po manipulonte në mënyrë aktive rrjedhat e tubacioneve.

Nisma, e quajtur “Kurseni gazin për një dimër të sigurt”, fillimisht u prit me skepticizëm nga shtetet anëtare, të cilët luftuan për të siguruar përjashtime dhe derogime të personalizuara.

Qëllimi fillestar vendosi një reduktim vullnetar prej 15% midis gushtit 2022 dhe marsit 2023, me një opsion të detyrueshëm nëse mungesat bëheshin të rënda.

Mirëpo, frika nga një faturë jashtëzakonisht e lartë i shtyu konsumatorët dhe kompanitë të merrnin gjërat në duart e tyre dhe të kursenin sa më shumë energji, pavarësisht se çfarë kanë negociuar politikëbërësit në Bruksel.

BE-ja përfundoi duke e tejkaluar lehtësisht objektivin e vet: midis gushtit dhe janarit, kërkesa për gaz u ul me pothuajse 19.3% krahasuar me konsumin mesatar për të njëjtët muaj midis viteve 2017 dhe 2022, sipas shifrave të zbuluara nga Eurostat.

Kursimet më të mëdha u regjistruan në Finlandë (–57,3%), Lituani (–47,9%) dhe Suedi (–40,2%).

Reduktimi i përgjithshëm i BE-së pritet të zgjerohet edhe më tej pasi të merren parasysh shifrat nga shkurti dhe marsi.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) e ka përshkruar rënien e përdorimit të gazit si më të madhen në rekordin e BE-së dhe ka përmendur arranzhimet e bëra nga industria dhe ndërtesat, të tilla si ulja e termostatit, shkurtimi i dusheve të nxehtë dhe instalimi i pompave të nxehtësisë, si shtytësit kryesorë prapa këtij trendi.

Ekspertët dhe analistët i kanë sinjalizuar kursimet e gazit si një nga mjetet që e ka ndihmuar kontinentin evropian ta përballonte skenarin më të keq të krizës energjetike.

Në indikacion se sa popullore dhe efektive janë bërë kursimet, zgjatja e planit të reduktimit të gazit u miratua nga ministrat pa ndonjë diskutim apo mosmarrëveshje të madhe.

“Duke pasur parasysh pasiguritë që e paqartësojnë të ardhmen, unë kam përsëritur paralajmërimin tim se ne kemi fituar vetëm betejën e parë. Mbetet shumë për të bërë. Duhet të vazhdojmë me këtë trend,” ka deklaruar Kadri Simson, Komisioneri Evropian për Energjinë, i cili kishte propozuar zgjatjen e planit të kursimit.

“Kjo mund të na kursejë 60 miliardë metra kub gaz (deri) në prill të vitit 2024.”

Simson e festoi gjithashtu stabilitetin e çmimeve të gazit, të cilat aktualisht janë duke lëvizur rreth 40 euro për megavat-orë në Lehtësimin e Transferimit Titullar (TTF), nivele që nuk janë parë që nga janari i vitit 2021.

Sipas planit, vendet anëtare mund t’i zgjedhin lirshëm mënyrat për ta arritur reduktimin, duke e ruajtur mundësinë e shpalljes së të ashtuquajturit “Alarmi i Unionit” dhe duke e bërë objektivin prej 15% të detyrueshëm në të gjithë bllokun e BE-së./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala