BE-ja e Kanadaja dënojnë Vendimin e Trumpit për ngritjen e tarifave të çelikut dhe aluminit

Bashkimi Europian dhe Kanadaja kanë thënë të martën se janë të përgatitura të kundërpërgjigjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump ndau mendjen të vendosë tarifa për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit – duke përshkallëzuar frikën e luftës tregtare – raporton të martën, më 11.02.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

Trump nënshkroi të hënën mbrëma Vendimet për rritjen e normës së tarifave të SHBA-së për aluminin prej 25% nga norma e mëparshme prej 10%, duke eliminuar vendet e përjashtuara dhe marrëveshjet e kuotave, si dhe shumë përjashtime të tarifave specifike të produkteve për të dy metalet.

Masat, të cilat fuqizohen më 12 mars 2025 do të zbatohen për miliona tonelata importe çeliku dhe alumini nga Kanadaja, Brazili, Meksika, Koreja e Jugut dhe vende të tjera që kishin eksportuar në Shtetet e Bashkuara pa taksa.

Duke folur gjatë vizitës në Paris të martën kryeministri kanadez, Justin Trudeau i quajti tarifat “të papranueshme”.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dënoi gjithashtu Vendimin – duke thënë se blloku prej 27 vendesh do të marrë “kundërmasa të forta dhe proporcionale”.

Masa do të thjeshtojë tarifat për metalet “në mënyrë që të gjithë të kuptojnë saktësisht se çfarë do të thotë” – u ka deklaruar Trump gazetarëve. “Është 25% pa përjashtime. Janë të gjitha vendet, pa marrë parasysh se nga vijnë, të gjitha vendet”.

Trump ka theksuar se do të përcjellë njoftimet për tarifat reciproke për të gjitha vendet që vendosin tarifa për mallrat amerikane, gjatë dy ditëve të ardhshme. Ai ka thënë gjithashtu se po shqyrtonte edhe tarifat për makinat, gjysmëpërçuesit dhe ilaçet.

I pyetur në lidhje me kërcënimet për hakmarrje nga vendet e tjera kundër tarifave të tij të reja, Trump deklaroi: “Nuk e kam problem.”

Sipas të dhënave nga Zyra Gjermane e Statistikave, në shifra që mund të acarojnë më tej Trumpin, suficiti tregtar i Gjermanisë me SHBA-në arriti një nivel rekord vitin e kaluar prej 70 miliardë eurosh.

Von der Leyen ka shprehur keqardhje të thellë për Vendimin e SHBA-së, duke shtuar se tarifat janë taksa të këqija për biznesin dhe më keq për konsumatorët. Eksportet e çelikut të BE-së në SHBA në vit gjatë dekadës së fundit kanë qenë mesatarisht rreth 3 miliardë euro në vit, gjatë dekadës së fundit.

Një opsion për BE-në do të ishte riaktivizimi i tarifave që vendosi në vitin 2018, të cilat u pezulluan sipas një ujdie të dakordësuar midis Von der Leyenit dhe presidentit të atëhershëm amerikan, Joe Biden.

Importet e çelikut përbënin rreth 23% të konsumit amerikan të çelikut në vitin 2023 – sipas të dhënave të Institutit Amerikan të Hekurit dhe Çelikut, me Kanadanë, Brazilin dhe Meksikën furnizuesit më të mëdhenj.

Kanadaja, burimet e bollshme hidroenergjetike të së cilës ndihmojnë prodhimin e saj të metaleve, përbënte gati 80% të importeve kryesore të aluminit në SHBA, në 2024.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com