Bosnjë dhe Hercegovinë - Migrantë në fabrikën Krajinametal, në hyrje të Bihaçit- 21 tetor 2020. Foto: REL

BE-ja e alarmuar me gjendjen e migrantëve në Bosnje dhe Hercegovinë

Bashkimi Evropian (BE) është shprehur “i alarmuar” për gjendjen e migrantëve të cilët ndodhen në Bosnje e Hercegovinë. Sipas BE-së, atyre u kanoset rreziku që në këtë kohë dimri të mbeten pa qasje në nevojat elementare siç janë: strehimi, uji dhe ngrohja.

Tre anëtarë të Komisionit Evropian (Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, Komisionarja për Punë të Brendshme, Ylva Johansson dhe Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi) kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kërkojnë nga autoritetet në këtë shtet që të tejkalojnë ndasitë politike dhe të mundësojnë zgjidhjen e këtij problemi.

“Situata e migrantëve në Bosnje e Hercegovinë është alarmuese. Me mbylljen e pritur të objektit në Lipa dhe pa dhënien e ndonjë alternative nga autoritetet, mbi 3300 refugjatë dhe migrantë do të përballen me një situatë, gjatë së cilës nuk do të kenë strehim elementar dhe shërbime. Objekti ishte organizuar si një masë e përkohshme për tu përballur me situatën e COVID-19 gjatë verës”, kanë thënë këta zyrtarë të lartë të BE-së.

Ata kanë kërkuar nga autoritetet që të rihapet qendra në vendin Bira dhe objekti Cijuge në afërsi të qytetit të Tuzllës.

“Autoritetet përkatëse duhet të bashkëpunojnë dhe të veprojnë me ndjenjën e lartë të urgjencës në mënyrë që të adresohen nevojat e të gjithë refugjatëve dhe migrantëve – pa strehë – dhe të shpëtohen jetët e njerëzve. Interesat e popullatës lokale po ashtu duhet të merren parasysh dhe ne do të punojmë me autoritetet relevante në këtë drejtim”, thuhet në këtë komunikatë.

Në disa vende të Bosnje dhe Hercegovinës popullate lokale po kundërshton hapjen e qendrave të migrantëve. Për një numër gjithnjë e më të madh të migrantëve, Bosnje dhe Hercegovina është bërë një vend nga i cili ata tentojnë të hyjnë në territorin e BE-së, duke kaluar ilegalisht kufirin me Kroacinë. Por, autoritetet kroate nuk i lejojnë dhe, sipas disa raporteve të organizatave joqeveritare, i kthejnë ata në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në deklaratën e zyrtarëve të BE-së thuhet se BE-ja do ta vazhdoj të ndihmoj Bosnje dhe Hercegovinën në këtë drejtim dhe për këtë qëllim tashmë ka ndarë edhe mjetet shtesë financiare./REL