BE-ja do të monitorojë zgjedhjet lokale në Kosovë, me kërkesë të Osmanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë përgjigje pozitive nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për kërkesën për monitorimin e zgjedhjeve lokale.

Zyrtarë nga Presidenca kanë njoftuar se një kërkesë të tillë nga Osmani është bërë në letrën e dërguar më 18 qershor 2021, në adresë të kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, si dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell.

Sipas komunikatës, që të dy zyrtarët e lartë të BE-së i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Presidentes Osmani.

“Për dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare, në të cilat Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve është përbërë nga një numër i vogël ekspertësh, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, BE-ja do të jetë prezente me mision të plotë të vëzhgimit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, në letrën dërguar Presidentes Osmani më 13 korrik thuhet se e ka konfirmuar gatishmërinë e Parlamentit Evropian për të marrë pjesë në monitorimin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, si dhe fillimin e menjëhershëm të procedurave përgatitore për këtë proces.

Ndërkaq në letrën e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, të datës 17 gusht, bëhet e ditur se pasi që Parlamenti Evropian t`i nominojë përfaqësuesit e vet, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së do ta emëroj Shefin e Misionit, i cili bashkë me ekipin e ekspertëve do të arrijnë në Republikën e Kosovës gjatë javëve në vijim.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.