BE-ja do ta sanksionojë Putinin dhe Lavrovin

Bashkimi Evropian do ta sanksionojë presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov, tha të premten ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

“Ne tani e listojmë gjithashtu Presidentin e Republikës z. Putin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme z. Lavrov,” u tha Baerbock gazetarëve gjatë rrugës së saj në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel të premten.

“Ata janë përgjegjës për faktin se në Ukrainë vdesin njerëz të pafajshëm, ata janë përgjegjës për faktin se sistemi ndërkombëtar është nëpërkëmbur dhe ne si evropianë nuk e pranojmë këtë”, tha tutje ajo.

Të enjten, BE njoftoi një sërë sanksionesh kundër Rusisë, të cilat shefja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen tha se do t’i rriste kostot e huamarrjes së Rusisë, do ta rriste inflacionin dhe do ta “gërryente gradualisht bazën industriale të Rusisë”.

Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.

Britania e Madhe tha se është e gatshme që t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që ta ndihmojë Kievin “në përballimin e agresionit rus”/CNN