FOTO: Qeveria e Kosovës, Zyra për Komunikim Publik .

BE-ja dhe Qeveria e Kosovës ndajnë 45 bursa për studime master për nëpunësit civilë

45 bursa të reja janë ndarë nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës për studime master në BE për nëpunës civilë aktualë dhe të ardhshëm nga Kosova.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ky është raundi i 13-të i bursave të dhëna në kuadër të programit të përbashkët Young Cell Scheme (YCS), synimi i të cilit është përmirësimi i punës së administratës publike dhe shërbimeve që ajo ofron për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

FOTO: Qeveria e Kosovës, Zyra për Komunikim Publik .

Në lidhje me këtë, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i lumtur që numri i të rinjve që përfitojnë nga ky program i bursave master po rritet çdo vit.

“Arsimi është me rëndësi kyçe për avancimin e zhvillimit të Kosovës në të gjitha sferat e jetës, përfshirë rrugën e saj të integrimit në BE. Jam i lumtur të shoh që numri i të rinjve që përfitojnë nga programi ynë i bursave Master po rritet vit pas viti dhe se duke punuar si nëpunës civilë po sjellin ndryshim pozitiv në mënyrën se si funksionon administrata publike e Kosovës” – njoftohet të ketë thënë Szunyog.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. FOTO: Qeveria e Kosovës, Zyra për Komunikim Publik .

Ai ka shtuar se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e një administrate publike më profesionale, transparente dhe llogaridhënëse, si përmes këtij programi të bursave, ashtu edhe përmes ndihmës së vazhdueshme për reformën e administratës publike.

Sipas këtij njoftimi të Qeverisë së Kosovës, kontributi i përgjithshëm i BE-së në programin “Young Cell Scheme” do të arrijë në 15.3 milionë euro duke përfshirë rundin e 13-të, të 14-të dhe të 15-të të bursave që do të përfundojnë deri në vitin 2026. Prej tij duhet të përfitojnë gjithsej 470 të reja e të rinj.

Qeveria e Kosovës filloi bashkëfinancimin e programit në vitin 2011 dhe po mbështet rundet 12 deri në 15, me 2.5 milionë euro.

“Qeveria e Kosovës e ka kuptuar detyrën e saj për të investuar në profesionalizimin e administratës sonë publike dhe ofrimin e mjeteve të nevojshme që ato të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë efektive” – ka thënë zëvendësministri i Punëve të Brendshme të  Kosovës, Bardhyl Dobra.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të  Kosovës Bardhyl Dobra. FOTO: Qeveria e Kosovës, Zyra për Komunikim Publik .

Sipas tij, ky program është i rëndësishëm në kuptimin që ndikimi i tij ndikon në shumë aspekte të zhvillimit personal dhe social, një administratë publike profesionale promovon transparencën dhe llogaridhënien në qeveri.

Tutje, Qeveria e Kosovës ka theksuar se programi i BE-së për Bursa për Studime Master i obligon përfituesit e tij që të punojnë në një nga institucionet e Kosovës për të paktën tri vjet pas diplomimit. Tri rundet e ardhshme të programit do të zbatohen nga “Universiteti i Aristotelit” në Selanik në Greqi dhe Instituti Kombëtar i Shërbimit Publik në Francë, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës.

Sipas njoftimit, mbështetja e BE-së për arsimimin e nëpunësve civilë në nivel master në Kosovë ka filluar në vitin 2004. Që atëherë, në 12 rundet e mëparshme të bursave, 364 nëpunës civilë janë arsimuar në fushat që janë konsideruar më të nevojshmet nga qeveria.