Foto: REL/MIA

BE-ja dështon të miratojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Ministrat e Bashkimit Evropian kanë dështuar që të japin datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

“Nuk ka qenë moment i lavdishëm për Evropën”, ka thënë Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn para gazetarëve në Luksemburg më 15 tetor.

Ai ka thënë se një “shumicë e madhe” e vendeve të BE-së kanë mbështetur rekomandimet e Komisionit Evropian për të nisur bisedimet mirëpo nuk është arritur pajtueshmëria e nevojshme.

Kjo është hera e tretë, duke përfshirë qershorin e vitit 2018 dhe atë të vitit 2019, që ministrat e bllokut evropian dështojnë të marrin një vendim unanim.

Kjo çështje tani do të diskutohet nga liderët e BE-së në një samit që do të mbahet në Bruksel më 17-18 tetor.

Disa burime që kanë kërkuar të mos identifikohen, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se Franca ka luajtur rol kyç në bllokimin e procesit për nisje të bisedimeve për anëtarësim.

Ministria finlandeze për Çështje Evropiane, Tytti Tuppurainen, ka thënë pas takimit se “fatkeqësisht disa shtete anëtare kanë hezituar dhe një shtet anëtar ka qenë kundër”.

Franca dhe Holanda në veçanti kanë shprehur dyshimet e tyre për të hapur dyert për anëtarë të rinj të BE-së, për shkak të shqetësimeve për korrupsion dhe standardeve për sundim të ligjit në disa vende që kanë aplikuar për anëtarësim.

Megjithatë, ka edhe kombe që kanë shprehur shqetësime se vonesat në anëtarësimet e reja mund t’i ndihmojnë Rusisë për të rritur ndikimin në rajonin e Ballkanit./REL