Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

BE-ja deklarohet për vizitën e Kurtit këtë javë në Bruksel

Bashkimi Evropian e ka konfirmuar vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti këtë javë në Bruksel.

Zyrtarja për shtyp e Komisionit Evropian, Zoi Muletier në një përgjigje për KALLXO.com, ka theksuar se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell do ta takojë Kurtin të enjten.

“Ajo që mund të konfirmojmë është se ne e ftuam kryeministrin Kurti për një vizitë dypalëshe përuruese në Bruksel, pasi ai u emërua kryeministër i ri, për të vendosur kontakte pune dhe për të diskutuar bashkëpunimin mbi marrëdhëniet BE-Kosovë. HRVP do ta takojë të enjten”, thuhet në përgjigjen e saj, dërguar të hënën (sot), në pyetjet e përcjella të premten e kaluar.

BE-ja nuk ka treguar nëse gjatë kësaj vizitë do të ketë edhe ndonjë takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

KALLXO.com ka raportuar se Kurti do të qëndrojë dy ditë për vizitë zyrtare në Bruksel të Belgjikës.

Vizita e Kurtit në Bruksel, do të bëhet në kohën kur pas formimit të institucioneve të Kosovës, po kërkohet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi. Këtë e kanë kërkuar së fundi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania.

Kurti do të qëndrojë dy ditë për vizitë zyrtare në Bruksel