Jarinjë, Foto: KALLXO.com

BE: Ende nuk ka përfunduar takimi mes palëve, negociatat vazhdojnë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se takimi mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçakut, ende nuk ka përfunduar.

Ai ka thënë se ende po bisedohet për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.

“Takimi i kryengociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel i lehtësuar nga i deleguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, ende nuk ka mbaruar. Negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës”, ka shkruar Stano në Twitter.

Ndërkohë, para mediave është shprehur zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Ai tha se kanë arritur një marrëveshje në parim me Serbinë për targat.

Sot është dita e 10-të prej kur Qeveria e Kosovës vendosi që të ketë reciprocitet në targa të automjeteve ndaj Serbisë.

Serbët lokalë të veriut të Kosovës kundërshtuan vendimin e ekzekutivit kosovar duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Menjëherë pas vendimit, afër dy pikave kufitare u vendosen forcat speciale të Policisë së Kosovës.

Vetëm pas tetë ditësh bllokadë, KFOR nisi që të patrullojë në veri të vendit.

Ndërkohë, që forcat e rendit të Kosovës qëndronin në pikat e tyre pranë kufirit me Serbinë, ky shtet shtoi prezencën e ushtrisë në afërsi të kufirit me Kosovën.

Madje, disa ditë, pati edhe lëvizje të aeroplanëve ushtarakë e helikopterëve.

Një propozim për zgjidhjen e bllokadës ishte dhënë se fundmi nga komandanti i KFOR-it, por siç u tha nga Qeveria e vendit, ai ishte refuzuar nga pala serbe.

Ujdia mes Kosovës dhe Serbisë parasheh largimin e barrikadave dhe Njësisë Speciale dhe vendosjen e KFOR-it

www.kallxo.com