Flamuj të BE-së -Foto: REL/AFP
BE e sheh me sy pozitiv një kërkesë të Vuçiqit, Kosovës ia përmend sërish Asociacionin
Bashkimi Europian nuk i ka komentuar drejtpërdrejtë kërkesat që Serbia i ka paraqitur në raport me Kosovën, megjithatë ka mirëpritur gatishmërinë e shprehur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq për të vazhduar angazhimin në Dialogun e lehtësuar nga BE.
Në pyetjet e drejtuara nga KALLXO.com, pas deklaratave të Vuçiqit, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano është përgjigjur “se e vërejnë pozitivisht thirrjen për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet në Kosovë dhe riintegrimin e serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës që ata u larguan në vitin 2022”.
“BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Beogradit që të inkurajojë dhe Prishtinës që të mundësojë riintegrimin e serbëve të Kosovës”- tha Stano.
Gjatë adresimit të tij më 13 shtator presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.
Para adresimit të tij, pati reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se “Kosova është më e fortë se kurrë më parë dhe nuk trembet nga kërcënimet”.
Ndërkaq, Stano tha se mundësia e parë për ri-angazhim është takimi i ardhshëm i kryenegociatorëve në Bruksel më 17 shtator 2024.
“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit të Kosovës dhe Serbisë në aspiratat e tyre përkatëse për anëtarësim në Bashkimin Evropian”- deklaroi Stano.
Zëdhënësi i BE-së, theksoi se marrëveshjet e dialogut parashtrojnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, veçanërisht në përputhje dhe respektimin e plotë të kornizës ligjore të Kosovës.
“Në këtë kontekst, zbatimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm”- tha ai.
Sipas tij, retorika inflamatore ose mashtruese, si dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara janë në kundërshtim me Dialogun.
Këto dyja, Stano thotë se vënë në rrezik normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sigurinë e qytetarëve të saj.
BE-ja përsërit thirrjen e saj për de-përshkallëzimin, si dhe zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga të dyja palët.
E për të njëjtin Dialog, i pyetur se a pranon Kosova që në takimet në Bruksel të diskutohet për veriun, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se dialogu ka vdekur për këtë vit.
Deri te ky përfundim, Konjufca ka thënë se ka ardhur më herët duke u bazuar në strukturën aktuale, apo ‘set up’-it, siç u shpreh ai në gjuhën angleze.
Konjufca deklaroi se kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk i bëjnë përshtypje.
Ai theksoi se në veri të vendit janë prezente institucionet e sigurisë, për çka tha se nuk shqetësohen dhe frikësohen nga kërcënimet e tij.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës në lidhje me “kushtet e Vuçiqit”, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.
Ndërkaq, Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.
Në mars të vitit 2024, u shënua një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.
Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.