BE e quan sulm terrorist e të neveritshëm shpërthimin në Ibër-Lepenc
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka dënuar dhe e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
“Bashkimi Evropian dënon me shprehjen më të ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës” – shkruan në deklaratën e BE-së.
Borrel e ka quajtur sulmin “një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës.
BE- ka deklaruar se ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të koordinojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in. Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit EULEX po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë ata në mbarë Kosovën që janë prekur nga sulmi. Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme”- shkruan BE.
Borrel ka thënë se veprimi kriminal i kryer në Zubin Potok duhet të hetohet dhe autorët e tij të sillen para drejtësisë.
Në këtë aspekt, BE-ja iu ka bërë thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet.
Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me sulmin terrorist të mbrëmshëm në Zubin Potok.
Në orët e para të mëngjesit kanë nisur bastisjet në disa lokacione lidhur me sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
“Policia po i zhvillon hetimet. Ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike të Kosovës” – ka thënë Kurti nga vendi i ngjarjes.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ky shpërthim ka shkaktuar probleme në furnizim me ujë dhe rrymë në Kosovë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit të shkaktuar, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Kryeshefi i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka ka thënë se besojnë që së shpejti do të bëjnë zgjidhje edhe për ujë të pijshëm.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.