Foto: Denis Sllovinja
BE do të kthejë në agjendë propozimin për liberalizmin e vizave për Kosovën
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka konfirmuar se do të kthejë në agjendë propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja nga Presidenca çeke e BE-së, Eva Hrncirova.
Ajo ka thënë se kjo çështje do të jetë në agjendë të takimeve gjatë javëve në vijim.
“Nuk kemi një datë të saktë se kur do të jetë tema në agjendën e ambasadorëve – por patjetër (do të jetë) gjatë javëve në vijim”- thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Hrncirova për KALLXO.com.
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian të mërkurën, ka njoftuar se ka hequr nga agjenda e takimit të djeshëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024.
Zëdhënësja nga Presidenca çeke e BE-së, Eva Hrncirova dje ka thënë se Presidenca çeke, u bën thirrje për de-përshkallëkallëzim të menjëhershëm të situatës aktuale në Kosovë lidhur me vendimin për çështjen e targave.
Ndërsa, javën e kaluar zyrtarja për media e presidencës çeke, Emma O’Driscoll pati thënë se data me të cilën po punojnë për çështjen e vizave për Kosovën, aktualisht është 1 janar i vitit 2024, por pa dhënë detaje të tjera.
Kosova dhe Serbia dje kanë arritur marrëveshje lidhur me çështjen e targave.
Sipas marrëveshjes, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.
Pas vendimit të 28 tetorit ku Qeverisa e Kosovës vendosi për targat ilegale, në veri të Kosovës qytetarët atje janë larguar nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjykatat, prokuroritë, administrata, si dhe komuna.