BE: Dialogu nuk ka alternativë, mos e përdorni për argumente afatshkurtra politike

Zyra e Bashkimit Evropian e ka parë të nevojshëm që dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë pavarësisht situatës politike në Kosovës, dhe pavarësisht deklaratës së kryeparlamentares njëherësh edhe u.d të presidentes, Vjosa Osmani.

Në një përgjigje për KALLXO.com zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme, Peter Stano ka thënë që Kosova duhet ta kuptoj që dialogu nuk ka alternativë.

“Ne jemi të bindur se, për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të Kosovës për të ardhme evropiane, Kosova duhet të kuptojë dhe pranojë se nuk ka alternativë pos dialogut. BE-ja vlerëson vizionin e qartë të kryeministrit Hoti për këtë dhe gatishmërinë e tij për të bërë zgjedhjen e vështirë, duke dëshmuar konsistencë dhe pjekuri , posaçërisht në këto kohë sfiduese”, ka thënë ai.

Deklarimet për ndërprerje të dialogut, Stano i ka konsideruar si ‘argumente afatshkurtra politike’

“Shoqëria e Kosovës është mjaft e pjekur për të kuptuar se dialogu nuk mund të përdoret për argumente afatshkurta politike. Perspektiva evropiane e Kosovës është reale. Por përmbushja është në duart e qytetarëve të Kosovës dhe liderëve të tyre të zgjedhur. BE-ja mbetet e gatshme t’u ofrojë çfarëdo ndihme. Lehtësimi i dialogut është një aspekt i kësaj ndihme”, ka theksuar ai.

Tutje për KALLXO.com, Stano ka thënë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, mbesin të përkushtuar të vazhdojnë të lehtësojnë dialogun, në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, pasi ata janë sinqerisht dhe thellësisht të bindur se ky është opsioni më i mirë dhe i vetëm për Kosovën.

Ndërsa në pyetjen se kur do të mbahet takimi i radhës Kosovë- Serbi në Bruksel, Stano nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë.

“Takimi i ardhshëm i Dialogut të Nivelit të Lartë do të thirret në Bruksel sa më shpejt që të lejojnë rrethanat. Në ndërkohë do të ishte mirë nëse Prishtina dhe Beogradi përgatiten për diskutimet, duke treguar frymën e nevojshme të pragmatizmit dhe vullnetin politik për kompromis”, ka theksuar ai.

Pas arrestimeve të Gjykatës Speciale, partneri i koalicionit AAK-ja ka kërkuar ndërprerjen e dialogut, edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka kërkuar ndërprerjen e dialogut me Serbinë.

Ndërsa kryeministri Hoti ka thënë që dialogu duhet të vazhdoj, duke theksuar se ky proces është i ndarë me ato të Gjykatës Speciale.

Pavarësisht kërkesës së AAK-së, kryeministri Hoti nuk e pezullon dialogun

Vjosa Osmani kërkon ndërprerjen e dialogut me Serbinë