Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog Foto: KALLXO.com

BE dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshjen IPA III në vlerë prej mbi 63 milionë euro

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi së bashku me ambasadorin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë nënshkruar marrëveshje për programin e parë financiar vjetor IPA III, në vlerën prej 63.96 milionë euro.

Bislimi ka njoftuar se numri i projekteve që janë realizuar në IPA II është i madh, pasi sipas tij, për çdo vit ka pasur një numër të madh të projekteve.

“Numri i projekteve që janë realizuar në IPA II është shumë i madh, pasi për çdo vit ka pasë një numër të madh të projekteve por tash nuk e kemi këtu listën për me pa cilat janë përfundu e cilat jo. Ajo që ne kemi bërë, është që për shkak të vonesave që janë shfaqur si rezultat i pandemisë, një pjesë e projekteve të IPA II i kemi zhvendosur edhe për një vit apo kemi shtyrë afatin”- ka shpjeguar Bislimi në konferencë për media.

Zëvendëskryeministri ka theksuar se projektet të cilat kanë përfunduar dhe kanë rezultuar me kursime, i kanë bartur në IPA 2021.

“Ndërkaq për projektet të cilat kanë përfunduar dhe kanë rezultuar me kursime, të njëjtat kursime i kemi bartur tutje në IPA 2021 në mënyrë që të sigurohemi që asnjë cent të granteve që vijnë nga BE të mos humbin. Duke pa rëndësinë që ka projekti i vendosjes së filtrave në Kosovën B, shumicën absolute të mjeteve të kursyera i kemi bartë tek projekti i filtrave për Kosovën B e cili pritet të fillojë me zbatim në vitin 2024” – shtoi ai.

BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare.

Kosova filloi të përfitojë nga financimi IPA në vitin 2007. Që atëherë, dhe deri në fund të vitit 2022, gjithsej 1.21 miliardë euro i janë ndarë Kosovës përmes IPA I dhe IPA II.