BE dërgon mision të vëzhgimit të zgjedhjeve në Kosovë

Bashkimi Europian do dërgojë një mision vëzhgimi për zgjedhjet parlamentare në Kosovë që do mbahen më 09.02.2025.

Në komunikatën për media të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të  BE-së (EEAS), thuhet se ftesa ishte bërë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Omsani.

“Në përgjigje të një ftese nga Presidentja e Kosovës, Përfaqësuesja e Lartë / Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Kaja Kallas ka vendosur të dërgojë një Mision të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së (EOM) për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 9 shkurt 2025”- thuhet në komunikatë.

Sipas këtij njoftimi, përfaqësuesja e Lartë ka emëruar Nathalie Loiseau, Anëtare e Parlamentit Europian, si Kryevezhguese.

“Misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve në Kosovë, me kërkesë të autoriteteve të tyre, do të tregojnë mbështetje të vendosur nga BE-ja për Kosovën në përpjekjet e saj për të forcuar më tej qeverisjen demokratike. Prania e misionit në terren ka për qëllim të kontribuojë në një proces zgjedhor përfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke mundësuar që votuesit në Kosovë të shprehin qartë zgjedhjet e tyre”- thuhet në komunikatë.

Kryevezhguesja Nathalie Loiseau është shprehur : “Jam e nderuar që do të shërbej si Kryevezhguese e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së për vitin 2025 në Kosovë. Zgjedhjet parlamentare të ardhshme do të jenë të parat që do të zhvillohen sipas një ligji të ri zgjedhor, i cili ka marrë parasysh rekomandimet tona të mëparshme. Mezi pres të angazhohem me autoritetet, partitë politike, kandidatët, shoqërinë civile dhe akterët e tjerë të zgjedhjeve në Kosovë”- ka thënë ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e vitit 2025 datën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë.

Partitë politike, pozitë e opozitë tashmë kanë nisur edhe publikimin e listave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 18.12.2024, ka filluar me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet 9 Shkurtit 2025.

KQZ certifikon grupin e parë prej 11 subjekteve politike për Zgjedhjet e 9 Shkurtit 2025