BE dënon sulmet kundër zyrave të KQZ-së në veri të Kosovës

Bashkimi Evropian pas sulmeve kundër zyrave të KQZ-së në veri të Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha palëve të interesit që të përmbahen nga çdo veprim provokues dhe të rivendosin qetësinë.

BE në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se dënon sulmet e dhunshme në veri të Kosovës.

Bashkimi Evropian tutje ka potencuar se Kosova duhet të marrë parasysh të gjithë faktorët që zgjedhjet të mbahen në kushte paqësore.

“Kur shqyrtohet organizimi i zgjedhjeve të pjesshme në veri, autoritetet e Kosovës duhet të marrin parasysh me kujdes të gjithë faktorët e sigurisë, administrativë dhe politikë, për të siguruar që zgjedhjet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të mbahen vetëm në kushte paqësore”- thuhet në përgjigjen e BE-së për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kërkuar nga Bashkimi Evropian informacione lidhur me monitorimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.

Në përgjigjen e tyre thuhet se BE ka marrë ftesë për të vëzhgimin e zgjedhjeve për kryetarë të komunave më 18 dhjetor dhe për kuvendet komunale më 25 dhjetor.

Por, sipas tyre, për shkak të afateve të shkurtra, BE nuk mund të dërgojë mision elektoral në këtë rast.

“Fatkeqësisht, afatet shumë të shkurtra nuk e lejojnë BE-në të dërgojë një mision elektoral me këtë rast. Metodologjia jonë (duke përfshirë vëzhgimin afatgjatë dhe afatshkurtër), parashikon që çdo MVZ e BE-së të vendoset shumë përpara ditës së zgjedhjeve në mënyrë që të mbulojë dhe të jetë në gjendje të ofrojë analiza të hollësishme të gjitha aspektet e procesit zgjedhor në një raport përfundimtar”- thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.

Dje pasdite në disa zona të Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime.

Zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri u sulmuan dhe ajo në veri të Mitrovicës është demoluar dhe është jashtë funksionit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk janë krijuar kushtet e duhura për momentin që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat ishin planifikuar të mbahen më 18 dhjetor.

Sipas ambasadorit Hovenier, siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen” – ka shkruar Hovenier në Twitter.

Ndërsa,  ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nga Mitrovica e Jugut ka folur për situatën në veri duke thënë se Kosova ka kapacitetet e duhura për të mbajtur dhe ofruar siguri për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Xhelal Sveçla: Ish-pjesëtarë të Policisë të përfshirë në sulmin në veri (VIDEO)