BE dënon mohimin e Masakrës së Reçakut nga Aleksandër Vuçiqi

Zyra e Bashkimit Europian ka dënuar deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ku mohon Masakrën e Reçakut.

Në një përgjigje për BIRN, BE thotë se mohimi është në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe projektit të integrimit.

“Një gjë është e qartë, nuk ka vend për mohim ose relativizim të ngjarjeve që ndodhën në Reçak të Kosovës, në janar të vitit 1999. Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Europian dhe të kundërta me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, thuhet në reagim.

BE ka theksuar se rajonit i duhet pajtim, stabilitet dhe normalizim i marrëdhënieve.

Të mërkurën, Gjykata e Prishtinës e dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin e kaluar me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, kur forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Një deklaratë të njëjtë të enjten e ka dhënë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke i dalë në mbrojtje Todosijeviqit.

“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtrues”, tha Vuçiq sot para gazetarëve, raporton b92.

Deklarata e Vuçiqit ka nxitur reagime në vend.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se mohimi i krimeve serbe në Kosovë pengon pajtimin dhe paqen mes dyja vendeve.

“Unë shoh zyrtarë nga #Serbia që mohojnë disa nga krimet më të këqija kundër civilëve që ndodhën në Evropë, të konfirmuara nga ICTY, si # Reçak. Politikat gjenocidale serbe nuk mund të mbrohen. Ata duhet të denoncohen. Paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Kurse, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se me deklaratën për masakrën e Reçakut, Vuçiq tregon urrejtjen ndaj shqiptarëve.

“Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe urrejtja ndaj secilës etni është vepër e dënueshme me ligj”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë.

20 vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky krim i llahtarshëm tronditi gjithë opinionin ndërkombëtar.

Ambasadori William Walker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit. Madje, thuhet se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.