Emisari i BE, Mirosllav Lajçak në Prishtinë, 15 shtator 2022, Foto: KALLXO.com

BE deklarohet për vizitën e paparalajmëruar të Lajçakut sot në Kosovë

Bashkimi Evropian është deklaruar lidhur me vizitën e paparalajmëruar të Përfaqësuesit të Posaçëm, Mirosllav Lajçak në Kosovë gjatë ditës së sotme.

Në një përgjigje të BE-së për KALLXO.com thuhet se udhëtimi i Lajçak në takime me partnerë është pjesë e punës.

Sipas BE-së, nuk njoftohet ose komentohet domosdoshmërisht çdo takim pune.

“Është pjesë e punës së Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak të udhëtojë dhe të takojë partnerë në rajon, si dhe në BE e më gjerë. Ne nuk njoftojmë domosdoshmërisht dhe nuk komentojmë çdo takim pune apo ndërveprim të tij me partnerët në rajon”, thekson në përgjigjen nga BE-ja.

Tutje, bëhet e ditur se vizita e sotme po zhvillohet në kuadër të procesit të dialogut dhe vazhdimit të diskutimeve.

“Këto vizita pune, njësoj si ajo e sotme në Kosovë, po zhvillohen në kuadër të çuarjes përpara të procesit të Dialogut dhe vazhdimit të diskutimeve për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse të normalizimit dhe për çështjet aktuale që kanë të bëjnë me dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, u bë e ditur më tej nga BE.

Takimi  Kurti-Lajçak nuk është paralajmëruar as nga Qeveria e Kosovës.

Lajçak qëndroi të premten në Kosovë së bashku me këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.

Kurti largohet nga seanca, shkon të takohet me Lajçakun