Pamje nga selia e Komisionit Evropian në Bruksel - Foto: REL/Reuters

BE deklarohet për qasjen ndaj Kosovës në politikat për zgjerimin e bllokut

Komisioni Evropian ka deklaruar se Kosova është pjesë e politikës së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe ka një perspektivë të qartë evropiane, si të gjithë partnerët në rajon.

Kështu ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero.

KALLXO.com të mërkurën më 17 mars, i ka dërguar pyetje me shkrim Zyrës së BE-së në Kosovë, për të marr përgjigje se pse Kosova nuk përmendet në këtë metodologji (metodologjia e zgjerimit të bllokut), edhe pse procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve përfshinë Kosovën, ashtu si edhe Serbinë?

Zëdhënësja e KE-së Pisonero në përgjigjen e dërguar të martën më 23 mars, është shprehur se rajoni është përparësi e bllokut evropian.

“Kosova është pjesë e politikës së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe ka një perspektivë të qartë evropiane, si të gjithë partnerët në rajon. Rajoni vazhdon të jetë përparësia jonë, siç tregohet qartë përmes gjithë angazhimit dhe mbështetjes së dhënë, përfshirë edhe gjatë pandemisë COVID-19.

Sipas saj, partnerët janë në faza të ndryshme të procesit në rrugën e tyre evropiane.

“BE mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për të zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, përfshirë përmes reformave në fusha kryesore si sundimi i ligjit, administrata publike dhe ekonomia”, thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

Për më tepër, siç shprehet zëdhënësja “rruga evropiane e Kosovës – si rruga evropiane e Serbisë – gjithashtu varen nga përparimi në normalizimin e marrëdhënieve mes të dyjave”.

Pisonero ka shtuar tutje se metodologjia e rishikuar e zgjerimit e miratuar nga Komisioni Evropian në shkurt të 2020-s synon të forcojë besueshmërinë, parashikueshmërinë, dinamizmin dhe drejtimin politik të procesit të zgjerimit.

“Kornizat negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë përgatitur mbi bazën e saj, ndërsa diskutimet janë duke vazhduar mbi mënyrën e zbatimit të metodologjisë së rishikuar në Serbi dhe Mal të Zi”, thuhet në përgjigjen e Ana Pisonero për KALLXO.com.

Javën e kaluar, KALLXO.com raportoi se nën kritikat se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet “t’i kryejnë detyrat e shtëpisë” që të jenë pjesë e mekanizmave evropian, Bashkimi Evropian është duke punuar në atë që quhet ‘metodologjia e zgjerimit të bllokut’.

Megjithëkëtë, duket se dy prej vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësi “më të shpejtë” drejt aspiratave evropiane. Bëhet fjalë për Malin e Zi dhe Serbinë. Kosova në anën tjetër, sipas raportimeve, nuk është përmendur zyrtarisht për progresin e mundshëm në ecjen drejt BE-së.

Njohës të integrimeve evropiane dhe zhvillimeve politike në Kosovë, kanë pikëpamje të ndryshme rreth kësaj metodologjie të re të BE-së dhe qasjen ndaj Kosovës.

Paqartësia e BE-së për Kosovën në metodologjinë e zgjerimit të bllokut evropian