Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

BE deklarohet pas dështimit të marrëveshjes për targa mes Kosovës dhe Serbisë

Delegacionet shtetërore nga Kosova dhe Serbia dështuan të arrijnë një marrëveshje për targa gjatë një takimi të ndarë që patën me ndërmjetësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak, të premten me 13 maj.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano ka thënë se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet për diskutime të mëtejshme për një zgjidhje të përhershme për targat.

“Aktualisht nuk ekzistojnë kushtet për diskutime të mëtejshme për një zgjidhje të përhershme për targat. Prandaj, kjo çështje do të përfshihet në agjendën e takimeve të ardhshme të Kryenegociatorëve vetëm nëse do të ketë propozime të reja të besueshme”, thuhet në përgjigjen e Stanos për KALLXO.

Tutje në përgjigjen e Stanos thuhet se do të vazhdojë të zbatohet regjimi i ngjitjes së stikerave.

“Duke qenë se nuk ka marrëveshje për një zgjidhje të përhershme, regjimi i letrave ngjitëse vazhdon të zbatohet. BE pret që të dyja palët të respektojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut për Lirinë e Lëvizjes. Kryenegociatorët diskutuan edhe çështje të tjera aktuale, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara dhe përgatitjen e terrenit për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë. Diskutimet për këto tema do të vazhdojnë”, thuhet në përgjigje.

Më 13 maj, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka marrë pjesë në takimin e radhës në Bruksel me kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviq.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak ka njoftuar se nuk është arritur marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë për targat.

Zëvendëskryeministri Bislim Bislimi, kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, ka fajësuar palën serbe për mosarritjen e marrëveshjes për targat.

Bislimi deklaroi për media pas takimit në Bruksel, se arsyeja pse nuk ka marrëveshjes është se pala serbe iku për aeroport dhe nuk ka mundur të qëndrojë deri në fund.

“Fatkeqësisht ne pamë një sjellje shumë të çuditshëm të palës serbe e cila thoshte se kemi një ide, po nuk mund ta shpalosim, kemi probleme politike nuk mund ta sjellim. Në këtë drejtim udhëtimi ka qenë krejt i kotë, për arsye se si duket se ata kanë ardhur në Bruksel vetëm sa për të dhënë lajmin për media se ata dëshirojnë të bisedojnë, mirëpo kanë ardhur pa kurrfarë propozimi dhe zgjidhje”, ka thënë Bislimi.

Marrëveshja e përkohshme e targave ka përfunduar më 21 prill. Edhe pse u mbajtën disa takime për të arritur një marrëveshje përfundimtare para 21 prillit, përpjekjet nuk patën rezultat.

Edhe përkundër që marrëveshja e përkohshme për targat ka skaduar më 21 prill, edhe përtej kësaj date, veturat kanë vazhduar të vendosin letrat ngjitëse bazuar në marrëveshjen e përkohshme e cila ishte arritur në tetor mes kryenegociatorëve në Bruksel

Në shtator të vitit të kaluar për shkak të vendimit për masat e reciprocitetit pati protesta për 13 ditë radhazi nga ana e qytetarëve serbë, të përkrahur edhe nga zyrtarë të Listës Serbe.

Me automjete e makineri të rënda, qytetarët serbë të zonave përgjatë Leposaviqit e Zubin Potokut kishin bllokuar rrugët kryesore që të dërgonin drejt këtyre dy pikave kufitare.

Pas 13 ditë protestash, u arrit një marrëveshje e përkohshme për çështjen e targave të automjeteve.

Nga këto protesta erdhi edhe marrëveshja që veturat që hynin në Kosovë nga Serbia dhe anasjelltas të mbulonin simbolet shtetërore të dy vendeve me letra ngjitëse.