Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

BE bën thirrje për zgjedhje të qeta, transparente e gjithëpërfshirëse

Kryesuesit e Misioneve të BE-së në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, përmes një komunikate të përbashkët për media kanë thënë që zgjedhjet janë një mundësi që qytetarët të vendosin për të ardhmen e tyre.

“Pas ftesës së Presidentit Hashim Thaçi, një Mision i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) erdhi për t’i vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019. Zgjedhjet janë një prej komponentëve themelorë të demokracisë. Ato janë një mundësi për popullin e Kosovës për ta ushtruar të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet”, thuhet në komunikatë.

Tutje në këtë komunikatë BE bënë thirrje për një proces të qetë dhe transparent në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sundimin e së drejtës.

“ Të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit e tyre duhet të sigurojnë fushatë respektuese të përqendruar në programe konkrete në interes të popullit të Kosovës”, thuhet tutje aty.

Tutje në këtë komunikatë, BE bën thirrje që të përkrahet formimi i komisionit Ad-Hoc për forcimin e procesit zgjedhor në Kosovë.

“Forcimi i procesit zgjedhor është pjesë thelbësore e ciklit zgjedhor dhe me rëndësi të madhe në Kosovë. BE-ja dhe OSBE-ja bashkërisht e kanë mbështetur themelimin e një Komisioni ad hoc të Kuvendit dhe të një Grupi Këshillëdhënës për këtë çështje. I ftojmë të gjitha palët t’i marrin me seriozitet përpjekjet e Komisionit dhe ta përshpejtojnë punën pas zgjedhjeve për t’i zbatuar rekomandimet e EU EOM”, thuhet në komunikatë.