Flamuri i ISIS-it - Foto: REL/AFP

BBC: SHBA-ja kryen më shumë se 75 sulme ajrore ndaj ISIS-it në Siri

Më shumë se 75 sulme ajrore janë kryer sot, më 08.12.2024, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj objekteve të Shtetit Islamik (IS), në Siri – raporton media britanike BBC.

Sipas këtij raportimi, ishte presidenti amerikan Joe Biden, i cili paralajmëroi grupin e Shtetit Islamik që të mos përpiqet të përfitojë nga çdo vacuum, i krijuar nga tranzicioni i pushtetit në Siri.

Ai tha se SHBA-të kanë kryer rreth një duzinë sulme ajrore precize, brenda Sirisë kundër objektivave të IS-it sot.

BBC raportoi se edhe Komanda Qendrore e SHBA-së, Centcom, e cila është përgjegjëse për interesat e Amerikës në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe Jugore, tha se SHBA kreu më shumë se 75 sulme ajrore të dielën, në një përpjekje për të “eliminuar kampet e ISIS-it, në Sirinë Qendrore.”

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim. Ne nuk do të lejojmë që ISIS të rindërtohet dhe të përfitojë nga situata aktuale në Siri.” – tha komandanti i Centcom, gjenerali Michael Erik Kurilla.

Madje, siç raportohet, Gjenerali theksoi se të gjitha organizatat në Siri duhet të dinë se do t’i mbajnë ato përgjegjëse, nëse ata janë partnerë ose mbështesin ISIS-in, në çfarëdo mënyre.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, iku nga Damasku të dielën, më 08.12.2024 – duke përfunduar në mënyrë dramatike luftën e tij gati 14 vjeçare për të mbajtur pushtetin. Ndërkohë që, vendi i tij u shkatërrua në një Luftë të ashpër civile dhe u kthye në një fushëbetejë për forcat rajonale e ndërkombëtare.

Përgatiti: Shkodrane Dakaj