BBC: Rusisë i janë vrarë së paku 70 mijë trupa në Ukrainë
Më shumë se 70 mijë pjesëtarë ë ushtrisë ruse që po luftonin në Ukrainë janë vrarë deri tani, kanë treguar të dhënat e analizuara dhe të publikuar të premten (20.09.2024) nga transmetuesi publik britanik, BBC.
Dhe për herë të parë, vullnetarët – civilët që iu bashkuan forcave të armatosura pas fillimit të luftës – përbëjnë numrin më të lartë të të vrarëve në fushëbetejë prejse Rusia e nisi pushtimin/agresionin e madh kundër Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.
Përditë, emrat e atyre që u vranë në Ukrainë, përkujtimet dhe fotografitë e funeraleve të tyre publikohen në mbarë Rusinë në media dhe në rrjete sociale.
BBC në rusisht dhe uebfaqja e pavarur “Mediazona” kanë mbledhur emrat, bashkë me emrat e atyre të publikuar në lista në burime të hapura, përfshirë edhe raportet zyrtare.
BBC-ja ka kontrolluar informacion që janë shpërndarë prej autoriteteve dhe prej të afërmve të personave të shuar – dhe që janë identifikuar si të vdekur në luftë.
Varret e reja në varreza kanë ndihmuar gjithashtu për të siguruar emrat e ushtarëve të vrarë në Ukrainë – këta zakonisht kanë edhe flamuj dhe buqeta lulesh të dërguar nga Ministria ruse e Mbrojtjes.
BBC-ja ka identifikuar emrat e 70,112 ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë, por numri aktual besohet të jetë goxha më i lartë. Disa familje nuk ndajnë detaje për të afërmit e tyre publikisht – dhe në analizën e BBC-së nuk janë futur emrat e atyre që ka qenë e pamundshme që të verifikohen, ose të grupeve të pjesëtarëve të milicive në Donjeck dhe Luhansk në Ukrainën lindore.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com