
BBC: Pse kriza politike e Francës është kokëçarje e madhe për Europën
Qeveria e Francës është rrëzuar pasi partitë opozitare në Asamblenë Kombëtare mbështetën mocionin e mosbesimit kundër kryeministrit Michel Barnier, i cili përdori kompetencat speciale, për ta kaluar buxhetin e sigurisë sociale të hënën,
Fakti se vendi është në krizë të madhe politike dhe ekonomike nuk është shqetësim i madh vetëm për qytetarët francezë – vlerëson transmetuesi britanik, BBC në një analizë të publikuar, më 05.12.2024.
Destabiliteti i madh botëror
Këto janë kohërat e destabilitetit të thellë botëror.
Dhe Franca, bashkë me Gjermaninë, është parë tradicionalisht si “motori” i BE-së në kuptimin e fuqisë së madhe politike e ideologjike.
Por, ai motor po ngec, thënë më së buti.
Nuk është vetëm Franca, që po çorientohet prej belave të brendshme politike.
Gjermania do të mbajë Zgjedhje të parakohshme në Shkurt, pasi koalicioni i saj i brishtë u shkërmoq së fundi.
Krejt BE-ja është prekur si tërësi prej këtyre zhvillimeve.
Çfarë ndodhi me krejt demonstrimin e vendosur të fuqisë dhe unitetit, që Europa synoi ta ruante kundrejt Kremlinit agresiv e ekspansionist?
Dhe se si Europa do ta përmbushë premtimin e vet për t’i qëndruar palëkundshëm Ukrainës në krah, nëse presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do ta reduktojë ose do ta ndalë krejtësisht ndihmën ushtarake për Kievin?
Franca, mbi të gjitha, është fuqia e vetme e madhe ushtarake e Europës, bashkë me Mbretërinë e Bashkuar.
Kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të shkaktojë në BE dhe Europë edhe më shumë ankth.
Si mund këto mospërputhje ndërmjet deficitit tregtar amerikan me Europën dhe për shpenzimet e pamjaftueshme europiane të mbrojtjës të shpërthejnë në realitete politike?
BE-ja pa timon
Ky mund të kthehet në moment dhe rrezik të madh, njëherësh, për kthimin e Marine Le Penit.
Në këtë moment kritik në gjeopolitikë, lidershipi i BE-së pothuajse nuk duket fare në horizont. Blloku ka nisur të ndihet si pa timon; me ngritjen e liderëve gjithnjë e më autokratikë dhe pro-rus në Hungari, Sllovaki dhe Rumani – ndërkohë që, fokusi gjerman e francez është dobësuar e çorientuar.
Sa për Francën, duket se destabilitetit politik nuk po i shihet kurrkund fundi.
Presidenti Emmanuel Macron do të emërojë një Kryeministër të ri, por edhe atëherë Parlamenti do të vazhdojë të jetë i ndarë pikë e pesë, ndërmjet tri blloqeve politike që s’e durojnë njëri-tjetrin. Janë të vendosur ta mbajnë peng çdo reformë, që nuk përkon me pikëpamjet e tyre politike.
Dhe, një arsye tjetër, pse çfarë ngjan në Francë ka rëndësi përtej kufijve të saj: Është ekonomia e dytë më e madhe në eurozonë. Deficiti i saj buxhetor po kthehet në një balonë shpërthyese me pasojat përtej normave të BE-së. Borxhi qeveritar francez ka vënë në siklet gjithsecilin.
Ky është hall i madh për taksapaguesit francezë, të shqetësuar për koston e jetesës, e me mëdyshje për pjesën tjetër të eurozonës – nga frika se cilat mund të jenë pasojat e monedhës europiane, nëse ‘Bisha e Madhe Franceze’ del prej kontrolli.
Njëherësh, ‘Bisha tjetër e Madhe’, Gjermania, Ekonomia më e madhe e BE-së, i ka hallet e veta. Industria e saj, dikur në bum, rrezikon (madje, edhe para zbatimit të tarifave të paralajmëruara nga Donald Trumpi!) të prekë edhe fqinjët e saj të Europës Qendrore dhe Lindore.
Macron ndërmjet tri zjarreve!
Dhe në krejt këtë hallakamë mundohet ta ruajë qetësinë.
Derisa Kryeministri i tij doli në televizionin francez para mocionit të mosbesimit për të paralajmëruar destabilitet ekonomik, u bëri thirrje deputetëve francezë që të linin anash politikat partiake dhe ta mbështesnin e ta shpëtonin miratimin e buxhetit. Macroni, ndërkaq, mbajti një ton tjetër.
“Nuk duhet t’i frikësojmë njerëzit me këso gjërash, ne kemi një ekonomi të fuqishme.” – deklaroi ai. “Franca është vend i pasur, i fortë, që ka bërë shumë reforma dhe po mundohet t’u qëndrojë atyre besnikërisht, një vend që ka institucione stabile, Kushtetutë stabile”.
Macroni po fliste nga Arabia Saudite, ku po përfundonte vizitën treditore para se të fluturonte drejt Parisit, para votimit të tri blloqeve parlamentare.
Dhe, po, edhe ai është në ‘flakën e zjarrit’.
Ngërçi në Parlamentin francez është rezultat i Zgjedhjeve të parakohshme, që i shpalli Macroni në Francë, në verë. Dhe, ku partia e tij, ‘Renesanca’ pësoi një goditje goxha të fuqishme.
Sipas Ligjit francez, Zgjedhje të reja Parlamentare nuk mund të mbahen pa kaluar një vit prej zgjedhjeve të fundit. Që nënkupton se, probleme të ngjashme politike mund të ketë deri në verën ose vjeshtën e vitit të ardhshëm, atëherë kur Zgjedhjet e reja mund të rezultojnë, eventualisht, me qartësi politike – diçka që nuk pritet sipas sondazheve aktuale politike.
Marine Le Pen, mallkimi i Macronit
Dhe kështu, në mesin e kundërshtarëve tani të shumtë politikë të Macronit, po shtohen thirrjet që ai të japë dorëheqje. Ata pretendojnë se vetëm kështu mund t’i jepej fund ngërçit politik të Francës.
Një cinik mund të sugjerojë se ata shpresojnë se do të zgjidhej një President i ri prej grupimit të tyre politik.
Macroni e përshkruan idenë e Zgjedhjeve të parakohshme Presidenciale – mandati i tij përfundon më 2027 – si “fiksion politik”. Ai ngulmon në të tijën, se u votua prej francezëve “për t’iu shërbyer interesave të tyre”.
Por, një figurë politike me rezonim të mirë, për ta shtyrë përpara interesin e saj për ta nxjerrë Macronin nga loja është një grua kaherë e përshkruar si “mallkimi i tij politik”: Kandidatja e kahershme për presidente, Marine Le Pen, e së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar.
Ajo po hetohet me dyshimin për shpërdorim të fondeve publike të BE-së – diçka që ajo e hedh poshtë. Megjithatë, nëse shpallet fajtore, mund t’i ndalohet aktiviteti politik për pesë vjet. Kjo nënkupton se nuk do të mund të garonte për Presidencialet e vitit 2027.
Verdikti për rastin e saj pritet të kumtohet në Mars.
Nëse, Macroni do të jepte tani dorëheqje, Zgjedhjet Presidenciale do të duhej të mbaheshin brenda tridhjetë ditësh, duke ia dhënë Le Penit mundësinë të garonte dhe – shpreson fort ajo – për të fituar.
Në aspektin politik, shoqëror dhe ekonomik ka shumë zhvillime, që po ndodhin brenda e jashtë Francës, për të përcaktuar se çfarë na pret.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com