Flamuj të Ukrainës, Foto: Presidenca e Ukrainës, ueb-faqja zyrtare
BBC: Britania pritet të dërgojë qindra raketa tjera në Ukrainë
Britania e Madhe do t’ia dërgojë Ukrainës edhe qindra raketa të tjera me rreze të shkurtra veprimi, është bërë e ditur në prag të një samiti në të cilin presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të kërkojë zyrtarisht autorizimin për goditjen e caqeve brenda Rusisë me armë të furnizuara nga Perëndimi, ka raportuar BBC.
Presidenti ukrainas ka bërë edhe një lutje të madhe për përkrahje të mëtejshme ushtarake gjatë ceremonisë hapëse të samitit në bazën ajrore ushtarake në Ramstein në Gjermani.
Ai ka thënë se rajoni lindor i Donjeckut, ku forcat ukrainase po përballen me sulme ruse, varen me të madhe prej dërgesave të ndihmave ushtarake perëndimore.
Në samit ndodhet edhe sekretari britanik i Mbrojtjes, John Haeley, i cili do të konfirmojë pakon prej 162 milionë funteve britanike, që përfshin edhe furnizim me 650 raketa për të lehta me qëllime të shumëfishta(LMM).
Ai ka thënë se pakoja do t’i ofrojë Ukrainës “shtytje të rëndësishme” në fushën e mbrojtjes ajrore dhe do të demonstrojë gatishmërinë e Qeverisë britanike pa ta rritur nivelin e përkrahjes ushtarake.
Por profesori Michael Clark, ish-drejtor i përgjithshëm i grupit të pavarur të mendimit për mbrojtje dhe siguri, Instituti i Bashkuar Mbretëror i Shërbimeve, ka thënë se këto raketa do të marrin kohë derisa të bien në duar të ushtrisë ukrainase.
Në korrik, kryeministri britanik, Keir Starmer, zotoi tre miliardë funte britanike në vit për Ukrainën “për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.”
Prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë në shkurt 2022, Britania ka zotuar 12.7 miliardë funte britanike, përfshirë edhe 7.6 miliardë për mbështetje ushtarake.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com