BB, BE dhe Qeveria e Kosovës do të financojnë projekte komunale për efiçiencë të energjisë

Banka Botërore ka njoftuar se Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, i cili është themeluar me përkrahje nga Banka Botërore, ka shpallur tashmë thirrjen e parë për projekte komunale të efiçiencës së energjisë.

Sipas Bankës Botërore deri më tash janë pranuar 40 projekt propozime nga kryetarët e komunave për përmirësimin e efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike dhe në sistemet e ndriçimit të rrugëve.

Projekti komunal për Efiçiencë të Energjisë mbështetet nga Banka Botërore, Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës.

BB në Kosovë ka njoftuar se në dispozicion janë rreth 15 milionë euro që do të përdoren si kapital për financimin e zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në infrastrukturën publike komunale, përkatësisht në shkolla, qendra të kujdesit shëndetësor, ndriçim publik dhe të gjitha ndërtesat që administrohen nga Komunat e Kosovës.

“Projektet e Fondit do mund të kontribuojnë në zvogëlimin e impaktit negativ në ekonomi meqë do të kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës në sektorin e ndërtimit dhe energjisë.Informata më të hollësishme për Projektin Komunal të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë mund të gjeni në: www.fkee-rks.net.  Aplikimi është i hapur deri me 30 qershor!”, thuhet në njoftim.