Foto: Ilirjana Hoti/KALLXO.com

Bazuar në Raportin e Progresit, roli mbikëqyrës i Kuvendit është dobësuar

Roli mbikëqyrës i Kuvendit është dobësuar ndjeshëm për shkak të refuzimit të Qeverisë për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare, thuhet në Raportin e Progresit për Kosovën të hartuar nga Komisioni Europian.

Në këtë raport, po ashtu vlerësohet se Kuvendi i Kosovës ka pasur vështirësi në ruajtjet e kuorumit për vendimmarrje duke rezultuar në vonesa të konsiderueshme.

“Nga 129 projektligje, 80 janë miratuar, duke përfshirë 25 marrëveshje ndërkombëtare që janë ratifikuar. Disa ligje dhe një duzinë marrëveshjesh ndërkombëtare po barten nga një seancë në tjetrën” – thuhet në raport.

Shumica ka zgjedhur shpesh seancat e jashtëzakonshme dhe procedurat e shpejta për të miratuar legjislacionin kyç, thuhet në raport.

Kuvendi thuhet se ka shpërfillur edhe afatet procedurale për miratimin e 18 ligjeve dhe ka humbur afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese për rishikimin e disa ligjeve.

E, për komisionet e ngritura me nismat e opozitës thuhet se nuk janë përdorur në mënyrë efektive.

Në raport përmendet edhe bojkotimi i punës nga Lista Serbe, duke zvogëluar më tej aftësinë e Kuvendit për të miratuar legjislacionin dhe miratimin e amendamenteve kushtetuese.

Kuvendi ka qenë i ngadalshëm edhe në shqyrtimin e raporteve vjetore të agjencive të pavarura, një mori prej të cilave janë nën shqyrtim që nga viti 2022. Kjo ka penguar aftësinë e Kuvendit për t’i mbajtur agjencitë përgjegjëse dhe për të vlerësuar performancën e tyre.

“Forcimi i ndërtimit të konsensusit, transparencës dhe mbikëqyrjes mund të përmirësojë performancën e Kuvendit dhe të ndihmojë në krijimin e një procesi legjislativ më të qëndrueshëm dhe efikas. Kuvendi duhet të përmirësojë menaxhimin e brendshëm, të miratojë planet e punës për dy seancat e tij dhe të prezantojë një sistem elektronik të votimit dhe regjistrimit të pranisë” –  thuhet në raport.

Megjithatë, votimin elektronik, Kuvendi ka arritur ta bëjë në nisjen e sesionit vjeshtor, më 12.09.2024.

Pas shumë kohësh, deputetët kanë filluar të votojnë në mënyrë elektronike pas furnizimit me pajisje të reja teknologjike.

Raporti i Progresit është instrument me anë të të cilit Komisioni Europian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës europiane brenda vitit kalendarik.