Spitali i Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Batushai LVV-së këmbëngul se sot kanë vdekur 5 pacientë nga COVID-19 në Gjakovë

Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, gjatë ditës së sotme ka shkruar në ‘Facebook’ se brenda dy orëve në Spitalin e Gjakovës, kanë vdekur 5 pacientë nga virusi COVID-19.

“5 vdekje nga COVID-19 brenda dy orësh në Spitalin e Gjakovës. Situata është jashtë çdo kontrolli”, ka shkruar deputeti Batusha në ‘Facebook’.

Ndërsa Spitali i Gjakovës ka reaguar duke thënë se pretendimi i deputetit nuk qëndron.

“Kërkojmë qe të keni kujdes mos të përhapin informata të pa verifikuara nga spitali, nuk qëndron lajmi se kane vdekur 5 persona. Duhet të dihet se morgu i Spitalit shfrytëzohet edhe për pacientë që vdesin në kushte normale, për pacientë që vdesin në qendra tjera apo paciente që vdesin shtëpi mirëpo familjaret i lejnë kufomat në morg deri në ditën e varrimit”, thuhet në reagimin e Spitalit të Gjakovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, deputeti Agon Batusha insiston, duke thënë se e ka informatën brenda Spitalit të Gjakovës, se sot kanë vdekur 5 pacientë nga COVID-19.

Ai thotë se është telefonuar nga stafi mjekësor i spitalit dhe i kanë kërkuar që të iu bëjë thirrje qytetarëve sepse kapacitetet spitalore janë në limit.

“Informatat që më dhanë janë që 3 pacientë janë të konfirmuar që kanë vdekur nga COVID-19, ndërsa edhe dy kanë ndodhë gjatë kësaj kohe por që mjekët po mendojnë që për shkak të COVID-19, por ende nuk janë kryer procedurat e verifikimit”, ka thënë Batusha.

“Këtë të dhënë e kam prej momentit kur e publikova statusin. Pak më parë bisedova, ata janë të sigurtë që janë edhe dy të të tillë, por zyrtarisht asgjë nuk ka”.

Batusha pretendon se në Spitalin e Gjakovës ka probleme edhe me oksigjen.

“Bombolat e oksigjenit janë të vjetëruara, po rrjedhin dhe ka mungesë të madhe të oksigjenit. Dy apo tre pacientë shërbehen me një bombol. Situata është alarmante atje dhe kudo. Brenda 24 orëve ka rënë sistemi i oksigjenit 3 herë”, ka thënë Batusha.

Ndërsa drejtori shëndetësor në kuadër të Spitalit të Gjakovës, Afrim Dervishi, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se nuk qëndron pretendimi i deputetit Batusha, duke thënë se numri i të vdekurve nuk është i saktë, pa na treguar sa është numri.

“Nuk është e vërtetë, absolut nuk është e vërtetë. Shumë më pak është numri. Nuk mundemi me e komuniku kështu numrin”, ka thënë Dervishi përmes telefonit.

Në anën tjetër, gjatë ditës së sotme janë konfirmuar edhe 258 raste të reja me COVID-19, ndërsa vetëm sot janë konfirmuar 16 vdekje nga ky virus.

Spitali i Gjakovës demanton lajmin për “5 të vdekur nga COVID-19 brenda pak orëve”