Bastisjet nga Policia e Kosovës në Veri - reagojnë OJQ-të
Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike (ACDC) ka reaguar përmes një komunikate – lidhur me disa shkelje, të cilat pretendohet se janë bërë gjatë një bastisje (kryer nga Policia e Kosovës, më 30.11.2024), në Mitrovicën Veriore ndaj Gëzim Jahiroviqit, nënkryetar i Partisë ‘Iniciativa Rome’.
Sipas organizatës ACDC, në këtë bastisje, ka pasur shkelje të rënda të të drejtave të njeriut – përfshirë: dhunë fizike, përdorim të tepruar të forcës e abuzim verbal/psikologjik ndaj Gëzim Jahiroviqit e gruas së tij, Sultana; si dhe, familjes së tij të zgjeruar.
,,Më 30 nëntor 2024, gjatë një bastisje nga Policia e Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, ka pasur shkelje të rënda të të drejtave të njeriut – përfshirë: dhunë fizike, përdorim të tepruar të forcës e abuzim verbal/psikologjik ndaj Gëzim Jahiroviqit, nënkryetar i Partisë ‘Iniciativa Rome’, gruas së tij Sultana; si dhe, familjes së tij të zgjeruar.” – thuhet në komunikatën e Qendrës Avokuese për Kulturë Demokratike.
Duke dënuar ashpër çdo bastisje të paautorizuar të pronës private, përdorimin e tepruar të forcës, diskriminimin etnik e keqpërdorimin e autoritetit – organizatat i kanë bërë thirrje Inspektoratit të Policisë së Kosovës, që urgjentisht të fillojnë hetimet duke u bazuar në dëshmitë e qytetarëve.
,,Ne dënojmë ashpër çdo bastisje të paautorizuar të pronës private, përdorimin e tepruar të forcës, diskriminimin etnik e keqpërdorimin e autoritetit. Ne i bëjmë thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës (PIK), që urgjentisht ex officio të fillojë hetimet – bazuar në deklaratat e shumta të qytetarëve të komuniteteve joshumicë, të raportuara në media.” – thuhet në komunikatë.