Ilustrim: Karaçevë

Bastisje sot pati edhe në Karaçevë

Bastisja e cila po zhvillohet ditën e sotme në disa lokacione në Kosovë, u zhvillua gjatë ditës edhe në fshatin Karaçevë, në afërsi të vijës kufitare me Serbinë.

Edhe në Karaçevë, pati bastisje për mish të kontrabanduar nga kafshët të cilat janë konfiskuar nga ana e institucioneve.

Bastisja ndodhi gjatë ditës së sotme dhe u përcoll edhe nga ana e Prokurorisë në Gjilan.

Kontrollet dhe bastisjet të cilat po ndodhin gjatë ditës së sotme cak kanë fabrikat e mishit në Kosovë të cilët po dyshohen se kanë pranuar kafshë të kontrabanduara përmes rrugëve ilegale nga Serbia për në Kosovë.

Në dosjen e Prokurorisë së Gjilanit është përmendur edhe se disa nga kafshët e kontrabanduara dyshohen se kanë qenë të sëmura dhe të njëjta më pas janë blerë nga fabrika të mishit në Gjilan, Prizren, Gjakovë, Pejë e disa vende të tjera.

KALLXO.com raportoi edhe gjatë ditës për këto bastisje.

Më 18 shtator në një operacion të gjerë, u arrestuan 33 persona, 12 nga ta zyrtar policor të cilët lejuan që qytetarë të ndryshëm të Komunës së Kamenicës të kontrabandojnë kafshë përmes rrugëve ilegale.

Gjatë të njëjtit operacion janë konfiskuar edhe kafshë të dyshuara si të kontrabanduara ndërsa u rrënuan mbi 10 objekte të cilat funksiononin si kazino ilegale.