Armët e fishekët e konfiskuar nga Policia e Kosovës, Foto: PK

Bastisje në një fshat të Novobërdës, arrestohet një person për armëmbajtje pa leje

Një person është arrestuar nën dyshimin se posedonte armë pa leje.

Sipas Policisë së Rajonit të Gjilanit, gjatë ditës së sotme hetuesit policorë kanë ndërmarrë një operacion në fshatin Kufc i Epërm të komunës së Novobërdës dhe kanë bastisur një shtëpi dhe një hambar.

Të dy këto prona ishin në pronësi të të dyshuarit.

Gjatë bastisjes Policia ka njoftuar se ka konfiskuar një pushkë automatike me pesë karikatorë, 184 fishekë të kalibrit 7.62 milimetra, një pistoletë me dhjetë fishekë dhe dy karikatorë.

Armët e fishekët e konfiskuar nga Policia e Kosovës, Foto: PK

Policia ka njoftuar se arrestimi dhe bastisja kanë ndodhur pas informacioneve  lidhur me një rast të mëparshëm për të cilin Policia po kërkonte dëshmi apo materiale të nevojshme.

Me urdhër të Prokurorisë kompetente i dyshuari  dërgohet për 48 orë në mbajtje, për procedura të mëtejme hetimore.