Arma e sekuestruar në Podujevë. Foto: Policia e Kosovës

Bastisje në dy lokacione në Podujevë, sekuestrohet një armë

Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë kryer dy bastisje gjatë ditës së sotme në Podujevë, si rezultat i së cilave është sekuestruar një armë e zjarrit.

Në njoftimin e Policisë është thënë se bastisjet janë kryer në dy lokacione të ndryshme në fshatin Metehi të Podujevës.

Gjatë bastisjes Policia ka gjetur dhe sekuestruar një revole të tipit EKOL Special, e kalibrit 9 mm.

Siç ka njoftuar Policia, ndaj të dyshuarve A.I., 18-vjeçar dhe T.Sh. 20-vjeçar, me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale – armëmbajtje pa leje.

Policia ka treguar se të dyshuarit janë proceduar më tej.