Ilustrim

Bastiset një shtëpi në Prizren, policia gjen drogë e armë

Lëndë narkotike të llojit kokainë e marihuanë, armë e pajisje të tjera janë gjetur nga policia dhe konfiskuar nga një shtëpi e cila është bastisur dje në orët e hershme të mëngjesit në Prizren.

Policia ka njoftuar se ka arrestuar të dyshuarin, pronarin e shtëpisë.

Dje rreth orës 6 të mëngjesit policia kishte nisur një bastisje nga e cila kishte gjetur 27 qese paketime me substancë narkotike të llojit kokainë, 10 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, një mulli për bluarje të marihuanës.

Tutje policia gjatë kontrollit ka gjetur edhe një pushkë ajrore me një kuti municion për të, një peshore dixhitale, një DVR, një motocikletë një telefon celular dhe disa pajisje të tjera.

Në lidhje me këto prova dhe fakte, policia më pas kishte intervistuar të dyshuarin për të cilin është hapur rast për posedim të substancave narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

I dyshuari është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit kujdestar.