Basri Sejdiu, drejtor i SHSKUK. Foto: REL

Basri Sejdiu: Gjykata Supreme ka vendosur në favorin tim

Ish-drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor të Kosovës, Basri Sejdiu, ka njoftuar se Gjykata Supreme ka vendosur ta rikthejë në krye të bordit të ShSKUK-së.

Sejdiu ka thënë se Gjykata Supreme ka vendosur ne favor të tij.

“Supremja fatbardhësisht ka vendosur në dobi time dhe kërkon nga themelorja që të vendoset drejt dhe jo jashtligjshëm si ka vepruar”, ka thënë Sejdiu, në emisionin ‘Debat’ në RTK.

Tutje, Sejdiu ka folur edhe për emërimin e bordit të tanishëm.

“Është politik ky bord dhe misioni i tij ka qenë politik, pasi brenda ditës vendos një militant partiak. Derisa unë e kam të ankimume ankesën nëpër gjykata është ngut me procedura të konkursit. Qëllimisht mund të themi se ka qenë një skandal.”, ka thënë Sejdiu.

Basri Sejdiu ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të ShSKUK-së në korrik të vitit 2020.

Sipas komunikatës së ShSKUK-së Sejdiu ishte shkarkuar për shkak të performancës jo të kënaqshme.

“Shkarkimi ka ardhur si pasojë e performancës jo të kënaqshme dhe mos përmbushjes së detyrave të punës”, thuhej në komunikatë.

Në vend të Sejdiut, drejtori i ShSKUK-së ishte emëruar infektologu Valbon Krasniqi.