Sali Bashota, kryesues i Bordit të RTK-së. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Bashota: Bordi nuk e ka shkelur ligjin me zgjedhjen e Drejtorit të RTK-së

Sali Bashota, kryesues i Bordit të Radio televizionit të Kosovës (RTK), në raportimin e tij para Komisionit parlamentar për media tha që në këtë komision po diskutohet për një proces i cili ka ndodhur kohë më parë përderisa, sipas tij, nuk është shkelur aspak ligji.

Bashota dhe anëtarë të Bordit të RTK-së po raportojnë për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së. Vitin e kaluar, Ngadhnjim Kastrati ishte zgjedhuir në këtë pozitë, por Sindikata e RTK-së është ankuar se ai është zgjedhur pa votat e mjaftueshme nga anëtarët e bordit.

“Po diskutojmë për një proces që është kryer para 18 muajsh. Dje kemi marrë ftesë pa agjendë. Unë jam që dy vjet anëtar dhe kurrë Bordi nuk ka qenë me përbërje të plotë. Bordi i RTK-së është kolegjial dhe zbaton Ligjin e RTK-së në përpikëri dhe zgjedhja (e Drejtorit) është bërë në bazë të procedurave”, tha ai në raportim.

“Pas përfundimit të procesit, asnjë nga kandidatët nuk ka bërë ankesë. Unë për vete jam profesor afër 12 vite dhe i njoh ligjet. Ky bord që e ka zgjedh drejtorin ka punuar në bazë të ligjeve”, theksoi Bashota.

Sipas tij, kjo që po bëhet tani është presion mbi RTK-në.

“Deputetët po bëjnë presion ndaj neve sepse ne do t’i zgjedhim drejtorët e organeve të tjera të RTK-së. Bordi ka mbetë pa anëtarë për shkak që ju nuk e keni votu në Kuvend”, shtoi ai.

Sipas Bashotës, secili diskutim në komision është interferim në drejtësi.

“Më 10 tetor ne kemi marrë një padi dhe çdo debat që diskutohet sot është ndërhyrje në drejtësi. Njëra nga sindikatat ka bërë ankesë dhe vendimi është në gjykatë. Do ta zbatojmë vendimin e gjykatës, është mirë që të jemi të matur në diskutime”, tha Sali Bashota.