Sopranoja Krenare Gashi, pianisti Andi Duraku dhe violonçelistja, Donjeta Cërmjani në ngjarjen kulturore filantropike "Bashkohu, Shpëto Jetë". Foto: Action for Health

“Bashkohu, shpëto jetë” – mbrëmje muzikore për të ndihmuar fëmijët me kancer

“Zoti mos e provoftë kërkon, është shumë e vështirë me e pa fëmijën tand në atë gjendje” – thotë një nënë, fëmija i së cilës është i prekur nga kanceri.

Ajo dhe dhjetëra njerëz të tjerë u mblodhën për t’u solidarizuar e për të mbledhur fonde për fëmijët në mbrëmjen kulturore filantropike të organizuar për fëmijët me kancer, nga “Action for Health” më 05.09.2024.

Në kushte anonimiteti, për plot emocione ajo foli shkurt për KALLXO.com duke thënë se e vlerëson tej mase punën e mjekëve e të infermierëve, por kërkon që shteti të bëjë më shumë në këtë aspekt.

“Për familjen, përveç se barrë emocionale është dhe barrë financiare” – tha ajo.

Me moton “Bashkohu, shpëto jetë”, kjo ngjarje u organizua në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin në Fëmijëri.

“Nesër do të rrezojë prapë dielli” thoshte teksti i këngës gjermane “Morgen”, që sopranoja Krenare Gashi, e shoqëruar nga pianisti Andi Duraku dhe violonçelistja, Donjeta Cërmjani interpretuan në këtë koncert. Duartrokitjet për ta zgjatën më shumë se zakonisht.

Ndonëse të prekur nga kauza e mbrëmjes e të fascinuar nga zëri mahnitës i Gashit, disa prej publikut u shprehën të dëshpëruar me numrin e vogël të njerëzve që morën pjesë.

“Programi ishte shumë në nivel, por mjerisht audienca ish dashtë me qenë ma e madhe. Nuk e di a ju ka mungu mediat, informimi, por shumë më brejti që salla nuk ishte e mbushur” – tha Skënder Sopi, profesor i pikturës, i cili vlerësoi shumë qëllimin dhe përmbajtjen e koncertit.

Njësoj tha edhe Nexhat Berisha, i cili ishte i çuditur me interesimin e vogël për një koncert me këtë nivel të përgatitjes së muzikantëve të gërshetuar me qëllimin humanitar.

Megjithatë, themeluesja e organizatës “Action for Health”, Nezaqete Rukovci, që organizon këtë mbrëmje për të tretin vit radhazi, tha se interesimi shtohet cdo vit e më shumë.

Pasi që vetë arriti ta mposhtë kancerin e gjirit, Rukovci themeloi këtë organizatë në vitin 2014 për të ndihmuar të tjerët që kalojnë nëpër këpucët e saj.

“Atëherë kam qenë shumë e motivuar për shkakun se kam qenë vetë e prekur nga kanceri dhe trajtimin e kam marrë jashtë vendit, në Austri dhe shpenzimet kanë qenë marramendëse. Në Kosovë mungonte kimioterapia, nuk vinte me rregull, atëherë nuk kishte rrezatim” – thotë ajo.

Përveç vështirësive që përjetojnë pacientët, Rukovci thotë se edhe familjarët vuajnë bashkë me ta.

“Prindërit kanë edhe fëmijë tjerë, nga ana tjetër duhet me sakrifiku, me sakrifiku edhe vendin e punës, fëmija duhet me sakrifiku shkollimin. Çfarë emocionesh janë kur fillon viti shkollor më 1 shtator, e fëmija i tyre është duke u shëru. Prandaj mendoj se duhet të ketë edhe më shumë psikologë. Është deficitar numri i tyre” – shton udhëheqja e “Action for Health”.

Ndihmën kryesore në mbledhjen e fondeve, Rukovci thotë se e kanë prej bizneseve. Misioni i organizatës është mbrojtja shëndetësore për të gjithë qytetarët pa dallim, në veçanti për grupet më të ndjeshme të shoqërisë, sic janë fëmijët, gratë, minoritetet e të moshuarit.

“Secili njeri ka të drejtë të marrë shërbime shëndetësore pa dallim, pa marrë parasysh gjendjen e tyre financiare” – tha ajo, pasi që sipas saj në Kosovë ekziston dallim mes shtresave gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore.

Në fokus të tyre janë fëmijët që janë të shtrire në Klinikën Hemato-onkologjike.

Për Krenare Gashin, që ka rreth tetë vjet që jeton në Mynih të Gjermanisë është emocion i vecantë të interpretojë në Prishtinë dhe të mund të kontribuojë për këtë kauzë.

“Jam ndi shumë mirë dhe shumë e lumtur që edhe unë mund të kontribuoj në këtë kauzë. Edhe unë si nanë e ndiej edhe më shumë se çka po kalojnë familjarët me fëmijë të sëmurë. Secili nga ne mund të bëjmë diçka në atë aspekt. Askush nuk është i paprekshëm, secili mundet me qenë në të ardhmen në atë situatë, ndonëse shpresojmë që jo” – tha ajo.

Sopranoja tha se është ndjenjë ndryshe kur në publik ka familjarë e fytyra që i njeh.

Në publik pati edhe ish-profesore të muzikantëve, që u shprehën shumë krenare për nxënësit e tyre.

Elife Podgorica – Jashari tha se Krenarja ka qenë gjenerata e parë pas luftës, dhe nxënësja e saj për 4 vite.

“Sot pata një emocion të veçantë sepse Krenaren nuk jemi mësuar ta takojmë në skenën e Prishtinës. E përshëndes shumë këtë iniciativë” – tha ajo.

Lejla Pula, profesoreshë e pianos e quajti jashtëzakonisht të bukur programin, teksa shpreson që të ketë sa më shumë mbrëmje të tilla

“Të gjithë sonte e përjetuam sikur muzikën ashtu edhe kauzën për të cilën kjo muzikë sonte është interpretuar” – tha Pula, ish-profesoreshë e Andi Durakut.

Për nder të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin në Fëmijëri, Biblioteka Kombëtare e Kosovës u ndriçua me ngjyrë ari më 02.09.2024.