Bashkimi i Sindikatave të Pavarura kërkon nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik deri në miratimin e Ligjit të pagave

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është takuar me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Atdhe Hykolli, për të biseduar për gjendjen ekonomike e sociale të punëtorëve.

Tema kryesore që e këtij takimi është gjetja e rrugës së duhur për plotësimin e kërkesës së subvencionimit të pagës në lartësi prej 100 euro për të gjithë të punësuarit në sektorin publik për kohën deri në miratimin e Ligjit të pagave.

“U fokusuan në zgjidhjen e kërkesave sindikale përkitazi me përfundimin e hartimit të Projektligjit të Pagave, me Plotësim-Ndryshimin e Ligjit të Skemave Pensionale të Financuara nga Shteti, dhe për nisjen e zbatimit të Ligjit të Sigurimit Shëndetësor”, thuhet në komunikatën e BSPK.

Ky propozim u kërkua të plotësohet para mbledhjes së kësaj sindikate, që do të mbahet më 10 gusht.

Sipas njoftimit, në atë mbledhje do të merren vendime për veprime të mëtutjeshme sindikale.