‘Bashkimi i qytetit’ në Ferizaj ishte inauguruar pa pranim teknik

Ndonëse ishte inauguruar për qytetarë në korrik të vitit të kaluar, projekti, ‘Bashkimi i qytetit të Ferizajt’, nuk kishte pasur pranim teknik të punëve.

Lëshimi për qarkullim i këtij projekti kishte bërë bujë të madhe në atë kohë në qytetin e Ferizajt.

Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit e cila ka audituar Komunën e Ferizajt dhe departamentin e Financave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në lidhje me këtë projekt.

ZKA ka konstatuar se Komuna nuk ka projekt zbatues në bazë të cilit bëhet pranimi teknik i objektit dhe lëshohet leja e përdorimit.

“Sipas zyrtarëve të Komunës ky projekt ka filluar të punohet, por është i pamundur të punohet pa u përfunduar të gjitha punët në teren, në mënyrë që të paraqiten të gjitha punët e kryera në projekt. Fillimi i përdorimit të nënkalimeve pa pranim teknik rrezikon sigurinë e përdoruesve të objektit dhe në rast të ndonjë dëmtimi, Komuna nuk mund të kërkojë llogari nga OE-të sepse është vështirë të identifikohet dhe verifikohet kush e ka shkaktuar dëmin”, thuhet në raport.

KËTU mund ta lexoni raportin e plotë!

Sipas ZKA-së, si pasojë e planifikimit jo të mirë të projektit, komuna kishte kontraktuar shumë punë të cilat nuk ishin parashikuar në fillim dhe për pasojë kishte kosto shtesë, menaxhim jo efektiv të kontratave, kishte vonesë në kryerjen e punëve dhe ende nuk është bërë pranimi teknik i projektit.

“Nuk ishin buxhetuar mjete të mjaftueshme për realizimin e projektit dhe si pasojë projekti nuk ka arritur të realizohet me kohë. Përveç kësaj, kishte kontraktuar shërbime apo punë me çmim shumë më të lartë se vlera e parashikuar e kontratave duke e kufizuar konkurrencën mes operatorëve ekonomik. Kemi gjetur edhe se Komuna i kishte paguar operatorit ekonomik punë të cilat ende nuk janë përfunduar dhe në anën tjetër operatori ekonomik ka përfunduar punë për të cilat ende nuk është paguar”, thuhet në raportin e ZKA.