Bashkimi Evropian zotohet ta dyfishojë një program ndihme ushtarake për Ukrainën

Bashkimi Evropian është zotuar ta dyfishojë një program ndihme ushtarake për Ukrainën duke trajnuar 15,000 ushtarë shtesë, si pjesë e një morie njoftimesh që kanë si qëllim të tregojnë se BE do të “qëndrojë në krah të Ukrainës për një kohë të gjatë”. Duke folur në fillim të një udhëtimi dy-ditor në Kiev, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përsëriti se BE synon ta ketë një paketë të dhjetë sanksionesh kundër Rusisë deri më 24 shkurt.

Von der Leyen përsëriti gjithashtu se BE-ja do takufizojë çmimin e produkteve ruse të naftës, si pjesë e një plani më të gjerë të G7 për të kufizuar të ardhurat nga nafta në dispozicion të makinerisë luftarake të Moskës zyrtare. G7 dhe BE kanë rënë dakord tashmë për një tavan çmimi të naftës së papërpunuar që hyri në fuqi dhjetorin e kaluar dhe, sipas Von der Leyen, i kushton Rusisë 160 milionë euro në ditë. 27 vendet anëtare të BE-së ende nuk kanë rënë dakord për çmimin tavan më të fundit të naftës.

BE ka si qëllim po ashtu të punojë me prokurorët ukrainas për tëa ngritur një qendër ndërkombëtare për ndjekjen penale të krimit të agresionit në Ukrainë që do ta kishte selinë në Hagë, tha Von der Leyen. Qëllimi i kësaj qendre do të jetë mbledhja dhe ruajtja e provave për çdo gjykim të ardhshëm, qoftë ai që do të zhvillohej nëpërmjet një gjykate speciale apo në ndonjë mënyrë tjetër.

Parlamenti Evropian ka votuar në mbështetje të një udhërrëfyesi për pranimin e Ukrainës në BE. Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, ka thënë se ai do të donte që Ukraina të anëtarësohej në BE brenda dy vjetësh, por në realitet, ky anëtarësim ka të ngjarë të zgjasë shumë më tepër.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i ka kërkuar BE-së të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë duke shtuar se e ka diskutuar një paketë të re sanksionesh me Von der Leyen. Sipas tij shpejtësia e fushatës së sanksioneve të BE-së kundër Rusisë është “ngadalësuar pak” ndërkohë që Rusia është “duke rritur ritmin e saj të përshtatjes ndaj sanksioneve”.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka deklaruar se dërgimi i avionëve luftarakë në Ukrainë do të kërkonte “muaj, nëse jo vite” trajnim dhe se ai po kërkon mënyrën më efektive për ta ndihmuar Kievin të sigurojë fitoren kundër Rusisë.

Rusia po planifikon një ofensivë të madhe që do të përkojë me njëvjetorin e luftës në Ukrainë më 24 shkurt, sipas ministrit të mbrojtjes të Ukrainës. Duke folur për mediat franceze, Oleksii Reznikov ka thënë se Rusia do ta thërrasë një kontigjent të madh trupash të mobilizuara. Duke iu referuar mobilizimit të përgjithshëm të 300,000 ushtarëve të rekrutuar në shtator, ai pohoi se numrat në kufi sugjerojnë se madhësia e vërtetë mund të jetë më afër 500,000 trupa.

Rusia ka paralajmëruar se ka “potencialin” për t’iu përgjigjur dërgesave perëndimore të armëve në Ukrainë, të cilat nuk do të kenë të bëjnë vetëm me “përdorimin e automjeteve të blinduara”. Në një fjalim për shënimin e 80-vjetorit të fitores sovjetike kundër Gjermanisë naziste në Betejën e Stalingradit, Vladimir Putin dukej se aludonte për arsenalin e madh të armëve bërthamore të Rusisë, duke paralajmëruar se “ata që presin të fitojnë në fushëbetejë me sa duket nuk e kuptojnë se një luftë moderne me Rusinë do të jetë krejtësisht ndryshe për ta”.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ka thënë se furnizuesit e armëve të Rusisë do t’i rrisin “dukshëm” furnizimet e tyre të pajisjeve ushtarake gjatë këtij viti. Medvedev, i cili është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit dhe mbikëqyr një komision qeveritar për prodhimin e armëve, tha se furnizimet e reja do të ndihmojnë Rusinë të shkaktojë një “disfatë dërrmuese” mbi Ukrainën në fushëbetejë.

Dy raketa ruse e kanë goditur Kramatorsk të enjten, pasi një bllok apartamentesh në qytetin lindor të Ukrainës u godit të mërkurën mbrëma, duke vrarë të paktën tre persona dhe duke plagosur 20. Sulmet e fundit rezultuan në viktima civile ka deklaruar kreu i administratës ushtarake rajonale, Pavlo Kyrylenko, por nuk ishte e qartë se sa. Gjithashtu, dy persona u vranë nga granatimet ruse në rajonin jugor të Khersonit.

Të paktën tetë persona humbën jetën pas një zjarri në një konvikt për punëtorët e ndërtimit në qytetin e Krimesë, Sevastopol, thanë zyrtarët rusë. Zjarri shpërtheu në strehimin e përkohshëm për punëtorët që ndërtonin autostradën Tavrida, një rrugë që lidh qytetet e Sevastopolit dhe Simferopolit, sipas guvernatorit të Sevastopolit të instaluar nga Rusia.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se të gjithë do të donin që konflikti në Ukrainë të përfundonte, por se mbështetja e perëndimit për Kievin po luan një rol të rëndësishëm në mënyrën se si Moska i është qasur fushatës. Në një intervistë në televizionin shtetëror rus, Lavrov tha gjithashtu se Moska ka plane për të lënë në hije ngjarjet pro-ukrainase të organizuara nga vendet perëndimore dhe aleate në mbarë botën për të shënuar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Një sistem i avancuar i mbrojtjes raketore i ofruar nga Italia dhe Franca duhet të funksionojë në Ukrainë brenda dy muajve të ardhshëm, ka thënë ministri i jashtëm i Italisë, Antonio Tajani. Franca dhe Italia ranë dakord ta furnizojnë Ukrainën me sistemin e tyre të mbrojtjes ajrore SAMP/T, me kërkesë të Kievit, për të ndihmuar në mbrojtjen e infrastrukturës të Ukrainës dhe qyteteve nga breshëria e rregullt e raketave ruse që godasin Ukrainën.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka thënë se është i hapur për furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë F-16 nëse vendimi do të merrej së bashku me aleatët e NATO-s. Në një intervistë dhënë gazetës gjermane Bild, Morawiecki theksoi se vlerësimi i tij ishte “bazuar në atë që vendet e NATO-s vendosin së bashku” dhe se vendimi kërkon “konsideratën strategjike të të gjithë” aleancës./The Guardian

 

Përgatiti: Nuhi Shala