Bashkimi Evropian u bën thirrje liderëve politikë që të përmbahen nga gjuha nxitëse

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje liderëve politik në vendin tonë që të përmbahen nga gjuha nxitëse, pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese.

Në një reagim të përbashkët, shefja e zyrës së BE-së, PPBE dhe shefat e misioneve të BE-së në Kosovë, kanë ftuar të gjithë aktorët politik që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si parim kyç i sundimit të ligjit, ne ftojmë të gjithë aktorët politikë të Kosovës që ta zbatojnë atë. Tani i takon Kuvendit që t’i ndërmerr hapat e nevojshëm kushtetues, në përputhje me vendimin e Gjykatës”, thuhet në reagim.

Tutje BE u ka bërë thirrje të gjithë liderëve politikë që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe ta shprehin mospajtimin e tyre ekskluzivisht në mënyrë paqësore dhe demokratike.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur aktgjykimin rreth dekretit të presidentit të vendit Hashim Thaçi, përmes së cilit ky i fundit mandatoi për kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të presidentit Thaçi në të gjitha çështjet e ngritura nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Gjykata ka vendosur që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin rreth dekretit të presidentit Thaçi për Avdullah Hotin