Bashkimi Evropian ndihmon Kosovën me 6 mijë teste për COVID-19 dhe pajisje tjera

Kosova do të pranojë nesër një kontigjent tjetër të ndihmave mjekësore nga Bashkimi Evropian.

Të enjten pritet që stafit të mantelbardhëve të i shtohen 6 mijë komplete të testimeve për COVID-19, shtretër spitalorë si dhe 67 mijë maska të frymëmarrjes, nga udhëheqësja e Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova.

“Nesër, Nataliya Apostolova, Udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së do t’i dorëzojë Ministrisë së Shëndetësisë 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67,000 maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor”, thuhet në njoftimin e zyrës së BE-së.

Në këtë donacion do të përfshihen edhe 350 oksimetra pulsi për gisht dhe pesë defibrilatorë me pacemaker dhe karrocë, bëhet e ditur tutje.

Vlera totale e këtij donacioni është 800 mijë euro, dhe është pjesë e ndihmës së BE-së për Kosovë në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Furnizimet u prokuruan përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), thuhet në fund të njoftimit.