Bashkim Ramosaj, Kryetar i Deçanit

Bashkim Ramosaj ballafaqohet me hallet e Deçanit

Punësime partiake në institucionet publike lokale, drejtorët e shkollave të politizuar, mungesë uji, kanalizimi e subvencioneve për bujqit, janë vetëm disa prej problemeve të Komunës së Deçanit.

Në debatin “Jeta në Komunë”, i pari i Komunës së Deçanit u ballafaqua për tri vite mandat në krye të kësaj komune. Përballë Jeta Xharrës, asamblistëve dhe shoqërisë civile, Ramosaj ka thënë se ka punuar shumë në infrastrukturën rrugore, ndërtiin e shkollave por, ende nuk ka arritur që të shtrijë në gjithë territorin e Deçanit rrjetin e kanalizimit.

“Jemi munduar të bëjmë punë të mira, në infrastrukturën rrugore, në arsim, në shëndetësi, ambient, për me krijua një standard të ri në komunën tonë. Në një pjesë mund të mburremi ndërsa kemi punuar edhe në shtrirjen e kanailimit, por nuk jemi në ditët më të mira të këtij projekti”, ka thënë ai.

Ndër premtimet e Bashkim Ramosajt, kur kandidoi për të parin e Deçanit në vitin 2017 ishte edhe përmirësimi i pozitës së gruas në këtë komunë.

Ramosaj mbajti premtimin për emërimin e dy grave drejtoresha në komunë, por, gruaja nëpër pozita udhëhqëse në Deçan mbetet ende pak e përfaqësuar.

Të dhënat nga kjo komunë tregojnë që vetëm 6.7% e grave janë nëpër pozita udhëheqëse.

Çështjen e përfaqësimit të gruas në pozita udhëheqëse e ngriti edhe asamblisti i Partisë Socialdemokrate, Ilir Ferizaj.

“Barazia gjinore është shumë e rëndësishme. Përpos dy drejtorive, në Deçan  janë vetëm dy gra drejtuese të shkollave, prej 20 shkollave. Ka shumë gra të zonjat, Deçani ka shumë gra që mund të bëjnë shumë punë të mira, por unë mendoj që është një gabim që nuk është trajtuar mirë nga qeverisja komunale, që nuk iu ka dhënë hapësirë e duhur”, ka thënë Ferizaj.

Ilir Ferizaj, PSD. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bashkim Ramosaj kishte premtuar se do t’i funksionalizojë të gjitha shtëpitë e shëndetit në Komunën e Deçanit. Por, hulumtimi i emisionit “Jeta në Komunë” zbuloi se Ambulanca në fshatin Ratishë e Epërme nuk u funksionalizua kurrë.

Sikur kjo Ambulancë e fshatit Ratishë e Epërme, janë edhe tri shtëpi të shëndetit në Deçan.

Por, infrastruktura dhe funksionalizmi i tyre nuk janë problemet e vetme në shëndetësinë e kësaj komune.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje nga Deçani, Faton Selmanaj, tha se në Qendren Kryesore të Mjekësisë Familjare, qytetarët deçanas obligohen që të blejnë vetë gjërat eseniciale, sic është pambuku.

Faton Selmanaj, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ai, krahasoi shpenzimet në dreka e darka të kryetarit Ramosaj dhe mungesën e barnave në QKMF-në e Deçanit.

“Kryetari u ankua për buxhet të vogël, por nëse shohim buxhetin për dreka dhe darkat zyrtare, janë 60 mijë e 645 euro e 21 centë brenda vitit 2019. Deshta me pyet kryetarin, se qysh ndihesh me e shpenzu këtë shumë, domethënë 60 mijë e 645 euro e 21 centë e në anën tjetër, Qendra e Mjekësisë Familjare mos me qenë e pajisur me gjëra esenciale. Më ka ndodhë vetë personalisht, mbi tri herë kur kam shku nuk ka pasë as alkool, as pambuk”, ka thënë ai.

Por, kryetari i komunës, Bashkim Ramosaj ka pasur një përgjigje për këtë.

“Shpenzimet përgjatë krejt vitit, unë kam mendu që është më i madh, unë jam i kënaqur që kanë qenë vetëm kaq. Ndërsa, lista esenciale nuk është krejt kompetencë komunale”, tha ai.

Përpos problemeve në shëndetësi, hulumtimi i “Jeta në Komunë”, tregoi se Deçani përballet edhe me politizim të arsimit.

Më shumë se gjysma e drejtorëve të shkollave, të cilët janë kontaktuar nga emisioni “Jeta në Komunë” e kanë pranuar se janë anëtarë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti e cila ka pushtetin në Deçan.

Por, këto emërime partiake në krye të shkollave i ka arsyetuar vetë i pari i Deçanit.

“I falënderoj për sinqeritetin. Me të thënë të drejtën, thuaja më shumë se 80% në Deçan janë Aleancë. Ka shanca, ka edhe drejtorë që s’janë me AAK-në. Nuk po shoh naj të keqe. Unë e kam një qasje tjetër, është zgjedhje e krejt këtyre se kë e mbajnë në Facebook, me kë pinë kafe”, ka thënë Ramosaj përballë Jeta Xharrës.

Të kontaktuar vetë drejtorët e shkollave e kanë pranuar që janë pjesë e partisë së Ramush Haradinajt, madje njëri prej tyre tha se nuk mund “të marrë frymë” pa AAK-në.

 Në njërin prej fshatrave të Deçanit shihet një rrethrrotullim i improvizuar nga vetë banorët e Drenocit.

“Ne si fshatit i Drenocit e kemi një hall të pazgjidhur, tash e gjashtë vjet. Kur është asfaltuar kjo rrugë këtu, e kemi pasur rrugëkryqin në fshat që lidh fshatrat, e kemi pasur të rregulluar me donacion të vetë fshatrave. Atëkohë u patën zotuar komunarët që do ta rregullojnë, tash e pesë vjet udhëkryqi i parregulluar. Tash e kemi një gomë të bagerit e cila po shërben aty, shumë herë i kam bë pyetje, pse s’po e rregulloni”, ka thënë Halil Dukaj, kryetar i fshatit Drenoc.

Por, rrethrrotullimin kryetari i Deçanit ka premtuar se do ta rregullojë deri kah mesi i vitit të ardhshëm.

“Këtë vit, nuk mund të rregullohet, vitin tjetër mundet me u kry kah marsi e tutje, deri kah muaji maj mund të përfundojë”, ka thënë Bashkim Ramosaj.

Banorët e fshatit Drenoc e kanë edhe një hall. Ata që pesë vite ballafaqohen me erën e keqe që sjellë kanalzimi.

Për këtë telashe të banorëve të Drenocit tha se është në dijeni edhe vetë kryetari Ramosaj. Ai tha se ka një projekt që pritet ta finalizojë së shpejti për kanalizimin, por nuk dha ndonjë afat kohor.

Ramosaj ka folur edhe për telashet politike që prekën nivelin qëndror dhe përfshirjen e tij në polemikat lidhur me ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.

 I pari i komunës së Deçanit ka komentuar edhe një mesazh të bashkëpartiakut të tij nga AAK-, Daut Haradinaj. 

Javë më parë, Haradinaj i komentoi Ramosajt në Facebook, kur ky i fundit tha se ka zhvilluar disa takime në lidhje me ndërtimet e rrugës Deçan-Plavë.

“Kryetar ti je i thirrur për të punuar e jo për takime për tu marrë vesh për takime. Rruga duhet për ty kryer Kryetar është n’të drejtën tonë dhe të mirën e Manastirit”, shkruante Haradinaj.

Por, këtë reagim të Daut Haradinajt, Ramosaj e ka parë si mbështetje për të.

“Besoj që është një mesazh që ia vlen për momentin dhe kohën kur është thënë, sepse sikur unë mbeta vetëm në krejt këtë përpjekjen, ia nisën njerëzit me u frikësu ngapak me atë që unë po e bëj dhe u nisën me u dorëzua para një sfide para një sfide që nuk është sfidë realisht. Këtë mesazh unë e mirëkuptova nga ana e deputetit Haradinaj si njëfarë lloj mbështetjeje edhe njëfarë lloj obligimi për institucionet qeveritare sepse mua nuk ma ka ndalë punën kërkush, ma ka ndalë Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka vlersuar Bashkim Ramosaj.

Jeta në Komunë, Deçan. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bjeshkët e Deçanit dhe problemi me hidrocentralet atje u diskutua po ashtu në debat.

Kryetari i Komunës së Deçanit ka thënë se do të angazhohet që, një kontratë në mes komunës dhe kompanisë KELKOS që ka ndërtuar hidtrocentrale në grykën e Deçanit, të zbatohet.

“Për çfarëdo që dëgjoni tjetër, në aspekt me KELKOS-in, përpos realizimit të kontratës, kemi pasur edhe takime në muajin maj. Ua kam bë gjëra të qarta, që në fakt janë të zakonshme, se ajo grykë për ne është më shumë se dashni, është më shumë se jetë, që ajo rrugë dhe ata ujë, që na janë cënuar dyjat, janë më tepër se jetë. Do ta detyroj, me krejt fuqinë dhe mjetet që kam”, ka thënë ai.